Koçiu inspekton punimet në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, inspektoi ditën e sotme punimet në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, ku po përfundojnë punimet për modernizimin e infrastrukturës spitalore. Ky investim strategjik nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat, fëmijët dhe gratë shtatzëna, duke sjellë pajisje të teknologjisë së fundit dhe kushte moderne për stafin dhe pacientët.
Ky projekt përfshin zgjerimin dhe përmirësimin e kapaciteteve në disa njësi kyçe, si shërbimi i urgjencës, sallat e operacionit, sallat e lindjes dhe reanimacionit. Gjithashtu, qendra e dedikuar për gratë është pjesë e këtij modernizimi, duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për trajtimin e rasteve të ndërlikuara dhe urgjente.
Po ashtu, spitali po pajiset me aparatura mjekësore të teknologjisë më të avancuar për monitorim dhe trajtim, duke rritur kështu efikasitetin e ndërhyrjeve dhe ulur rrezikun e komplikacioneve gjatë procedurave mjekësore.
Me përfundimin e kësaj faze të parë, Spitali “Mbretëresha Geraldinë” do të jetë një qendër lider në ofrimin e kujdesit obstetrik dhe gjinekologjik, duke siguruar standarde të larta për kujdesin shëndetësor në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




