Kodi i ri Penal, Bogdani: Do krijojmë grup pune për oponencë të specializuar, më 5 nëntor data për konsultimin e parë publik

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani pas raportimit në Kuvend të raportit vjetor të institucionit që ajo drejton, pyetur mbi Kodin e ri Penal, deklaroi se Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të krijojë një grup pune që të bëjë një oponencë të specializuar lidhur me dispozita të veçanta të kodit.

Ajo shtoi se në datën 5 nëntor është data e parë e konsultimit publik mbi Kodin e ri Penal.

“Konsultimi publik ende s’ka filluar. Është parashikuar disa herë dhe është spostuar. Më 5 është data e parë e konsultimit. Akt shumë voluminoz, 900 e ca nene. Nga KLP është diskutuar kjo çështje. S’kemi pasur kohën të hymë në detaje teknike.

Do krijojmë një grup pune që të bëjë oponencë të specializuar lidhur me dispozita të veçanta të kodit. KLP s’ka dashur të thotë një përgjigje të thatë për cilësinë e kodit”, deklaroi Bogdani.

Kjo e fundit theksoi se është e vështirë të bëhet një vlerësim i teknikës legjislative sipas direktivave të Bashkimit Evropian.  Në këtë kuadër, ajo shtoi se, pas koordinimit të burimeve njerëzore e gjetjes së specialistëve sipas fushave të Kodit Penal, do të dilet me një produkt teknik për vlerësimin e draftit.

“Një pretendim për teknikën legjislative, këto janë akte që kërkojnë një skupolozitet të madh. Është e vështirë të bësh vlerësimin e tyre sipas direktivave të BE. Kërkohet angazhim shumë më i madh për koordinimin e burimeve njerëzore e gjetjes së specialistëve sipas fushave të kodit penal. Ka një sërë kapitujsh që kërkojnë adresim teknik dhe më pas do kemi një  produkt teknik me të cilin mund të vlerësohet kodi apo drafti”, deklaroi Bogdani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme