Kolegji Zgjedhor rrëzon paditë e PD-ASHM për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në katër qarqe

Politikë | 1 vit më parë

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor ka rrëzuar të mërkurën paditë e ngritura nga koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), të cilat kërkonin shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara më 11 maj në qarqet Lezhë, Gjirokastër, Kukës dhe Korçë.

Me vendime të veçanta, Kolegji vendosi rrëzimin e kërkesave të PD-ASHM për pavlefshmërinë e rezultateve dhe përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në të gjitha këto qarqe. Vendimet theksojnë se paditë ishin “të pambështetura në ligj e prova”.

Në detaje, Kolegji Zgjedhor rrëzoi:

  • Padinë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun Lezhë.
  • Padinë për konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qarkun Gjirokastër dhe kërkesën për përsëritjen e tyre.
  • Padinë për konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qarkun Kukës dhe kërkesën për përsëritjen e tyre.
  • Padinë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun Korçë dhe kërkesën për përsëritjen e tyre.

Përveç këtyre, Kolegji Zgjedhor vendosi edhe pushimin e çështjes së paraqitur nga Shkëlqim Shehu, kandidat për deputet i PD-ASHM në qarkun e Kukësit, për shkak të mungesës së legjitimitetit të paditësit.

Këto vendime të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor mbyllin një fazë të rëndësishme të kontestimeve post-zgjedhore, duke konfirmuar vlefshmërinë e procesit të 11 majit në qarqet e lartpërmendura.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme