Kolumbia arreston udhëheqësin e dyshuar të mafias italiane ‘Ndrangheta’ në Amerikën Latine

Amerikë | 1 vit më parë

Autoritetet kolumbiane njoftuan arrestimin e Giuseppe Palermo, i njohur edhe si “Peppe”, një udhëheqës i dyshuar i mafias italiane ‘Ndrangheta’ në Amerikën Latine. Palermo akuzohet për mbikëqyrjen e dërgesave të kokainës dhe menaxhimin e rrugëve të paligjshme të trafikimit drejt Evropës.

Arrestimi i tij u bë në rrugët e kryeqytetit kolumbian, Bogota, gjatë një operacioni të koordinuar midis autoriteteve kolumbiane, italiane dhe britanike, si dhe Europolit. Giuseppe Palermo ishte i kërkuar ndërkombëtarisht sipas një njoftimi të kuq të Interpolit, i cili kërkonte arrestimin e tij në 196 vende.

Shefi i policisë kolumbiane, Carlos Fernando Triana, deklaroi në një mesazh në X se Palermo besohet të jetë pjesë e “një prej qelizave më të lidhura ngushtë” të mafias ‘Ndrangheta’. Kjo organizatë kriminale, një nga më të fuqishmet dhe më sekrete të Italisë, ka zgjeruar ndikimin e saj jashtë vendit dhe është gjerësisht e akuzuar për importimin e kokainës në Evropë.

Triana shtoi se i dyshuari “jo vetëm që drejtonte blerjen e dërgesave të mëdha të kokainës në Kolumbi, Peru dhe Ekuador, por kontrollonte edhe rrugët detare dhe tokësore të përdorura për të transportuar drogën në tregjet evropiane.”

Ky arrestim vjen në një kohë kur prodhimi i paligjshëm i kokainës ka arritur shifra alarmante. Sipas Kombeve të Bashkuara, prodhimi arriti në 3,708 ton në vitin 2023, një rritje prej gati 34% nga viti i kaluar, kryesisht i nxitur nga zgjerimi i kultivimit të gjetheve të kokës në Kolumbi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme