Komisioneri për të Drejtën e Informimit përcakton skemën e re se si do të përpunohen ligjërisht të dhënat personale nga autoritetet

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka lëshuar një udhëzim, i cili ka hyrë të martën në fuqi, i cili detajon rregullat për përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente.
Ky udhëzim, i bazuar në Ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, synon të udhëzojë institucionet që merren me parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale, si dhe me mbrojtjen e sigurisë publike dhe kombëtare.
Objekti i këtij udhëzimi është përcaktimi i rregullave për përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale të administruara si manualisht ashtu edhe elektronikisht nga autoritetet kompetente. Qëllimi është të udhëzojë këto autoritete mbi mënyrën e përpunimit të ligjshëm të të dhënave të grumbulluara për parandalimin, hetimin, zbulimin ose ndjekjen e veprave penale; ekzekutimin e dënimeve penale; mbrojtjen dhe parandalimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike, mbrojtjes ose sigurisë kombëtare.
Udhëzimi specifikon disa terma kyçe si:
* Anonimizimi, ku procesi që e bën të pamundur atribuimin e të dhënave një personi fizik të identifikueshëm.
* Nëpunësi për mbrojtjen e të dhënave, i cili është një ekspert i cili këshillon kontrolluesin/përpunuesin për zbatimin e ligjit dhe monitoron përputhshmërinë.
* Profilizimi i të dhënave që lidhet me çdo formë të përpunimit të automatizuar për të vlerësuar aspekte të caktuara të një personi fizik.
“Autoritetet kompetente, që përfshijnë edhe institucionet lokale me kompetenca publike, duhet të garantojnë zbatimin e parimeve të ligjshmërisë, përpunimit në përputhje me qëllimin, minimizimit, saktësisë, kufizimit të ruajtjes në kohë, integritetit, konfidencialitetit dhe përgjegjshmërisë. Çdo autoritet kompetent duhet të caktojë një nëpunës për mbrojtjen e të dhënave.”, thuhet në udhëzim.
Kategoritë e të dhënave dhe ndërveprimi i sistemeve
Udhëzimi i kategorizon të dhënat personale në të dhëna të përgjithshme identifikuese; të dhëna sensitive, përfshirë ato mbi përkatësinë etnike/racore, mendimet politike, besimin fetar, anëtarësinë në sindikata, të dhënat biometrike dhe gjenetike, shëndetin, jetën ose orientimin seksual; të dhëna që lidhen me dënime penale, veprat penale dhe masat e sigurisë.
Në rastet e përpunimit të të dhënave të bazuara në vlerësime personale, do të mbahet një regjistër i veçantë me arsyet përkatëse.
“Ndërveprimi i bazave të të dhënave shtetërore apo sistemeve duhet të dokumentohet. Nëse një informacion rezulton i pasaktë ose duhet të fshihet, autoriteti duhet ta komunikojë këtë te çdo marrës i të dhënave. Përpunimi dhe përhapja e të dhënave duhet të kryhet në mënyrë konfidenciale dhe vetëm nga punonjës të autorizuar, vetëm në masën e domosdoshme.”, theksohet në udhëzim.
Të drejtat e subjekteve dhe masat e sigurisë
Autoriteti kompetent ka detyrimin t’i sigurojë subjektit të të dhënave ushtrimin e të drejtave të tij, duke ofruar informacion në një formë koncize, transparente dhe të aksesueshme. Megjithatë, aksesin mund ta vonojë, kufizojë apo refuzojë nëse kjo pengon hetimet, procedurat ose procesin gjyqësor, ose për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Në çdo rast, refuzimi duhet të dokumentohet me arsye ligjore. Subjektet kanë të drejtë të kërkojnë rishikimin e përgjigjes nga Komisioneri.
Lidhur me sigurinë, udhëzimi nënvizon se “autoritetet duhet të marrin masa për të arritur objektiva specifikë sigurie, duke kryer vlerësimin e ndikimit në mbrojtjen e të dhënave kur ka rrezik të lartë.”
Mbrojtja e të dhënave në projektim (privacy by design) dhe në mënyrë të paracaktuar është thelbësore, veçanërisht me përdorimin e teknologjive të reja.
Të gjithë punonjësit janë të detyruar të mbajnë konfidenciale të dhënat e përpunuara. Përpunimi i të dhënave sensitive (biometrike, gjenetike) kërkon masa të posaçme mbrojtjeje dhe kontrolli të dyfishtë.
Mekanizmat e raportimit dhe ruajtja e të dhënave
Sipas udhëzimit, autoritetet kompetente duhet të krijojnë mekanizma konfidencialë për raportimin e shkeljeve të ligjit, si e-maile të dedikuara, platforma online, kuti fizike raportimi ose raportim verbal. Identiteti i raportuesit duhet të garantohet si konfidencial.
Sa i përket ruajtjes së të dhënave, udhëzimi thekson se “ato duhet të ruhen vetëm për aq kohë sa është e nevojshme për qëllimin për të cilin janë mbledhur.”
Pas kësaj, ato duhet të fshihen ose anonimizohen. Kriteret për rishikimin e nevojës për ruajtje përfshijnë moshën e subjektit (me vëmendje të veçantë për të miturit dhe të moshuarit), dënimet e shlyera dhe vendimet gjyqësore (përfshirë pafajësinë, amnistinë ose rehabilitimin).
Ky udhëzim shënon një hap të rëndësishëm drejt garantimit të një mbrojtjeje më të fortë të të dhënave personale në Shqipëri, duke siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri në veprimtarinë e autoriteteve kompetente.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




