Komisioni i Bujqësisë nis sesionin e ri, goditje trafikut të paligjshëm të duhanit

Komisioni i Bujqësisë, Ushqimit dhe Zhvillimit Rural ka çelur punimet e Sesionit të II të Legjislaturës së XI me një agjendë të ngjeshur, duke miratuar tre projektligje që prekin sigurinë tregtare, shëndetësinë dhe mbrojtjen e pasurisë gjenetike të vendit.
Nën drejtimin e kryetarit Blendi Klosi, komisioni u fokusua fillimisht tek forcimi i masave kundër tregtisë së zezë.
Një nga pikat më të rëndësishme ishte miratimi i aderimit të Shqipërisë në protokollin ndërkombëtar për ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, sqaroi se ky protokoll vjen si një plotësim i Konventës së OBSH-së dhe është kyç për politikat e shëndetit publik.
Nga ana tjetër, relatori Fadil Nasufi vuri theksin tek aspekti ligjor dhe penal.
“Protokolli parashikon dispozita të qarta për ndjekjet penale, sanksionet, teknikat speciale të hetimit, si dhe procedurat për asgjësimin e produkteve të konfiskuara,” u shpreh Nasufi, duke sinjalizuar një qasje më të ashpër ndaj kontrabandistëve.
Përtej sigurisë, komisioni miratoi edhe aderimin në Traktatin e Gjenevës (2024) për Pronësinë Intelektuale mbi Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, shpjegoi se ky ligj synon të mbrojë pasurinë shqiptare nga abuzimet.
“Qëllimi është të parandalojmë dhënien e patentave në mënyrë të gabuar për shpikje që bazohen në njohuritë tona tradicionale apo burimet gjenetike, pa pasur risi reale,” theksoi Kajo.
Kjo masë synon t’i japë fund keqinterpretimit apo përvetësimit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit.
Në të njëjtën linjë, u miratua edhe vendimi i Komitetit të CEFTA-s për mbrojtjen e pronësisë intelektuale në tregti. Zëvendësministri Enkelejd Musabelliu nënvizoi se zbatimi i të drejtave të autorit dhe patentave është jetik jo vetëm për mbrojtje, por si motor për inovacionin dhe rritjen ekonomike në rajon.
Të tre projektligjet morën votën pro të anëtarëve të komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




