Kompensimi për ndërtuesit/ Duma: 8 kompani rindërtimi me pronarë të inkriminuar! Bejtja: Nuk kam informacion

Akti normativ për kompensimin e kompanive të punëve publike ka shkaktuar debate të forta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë mes opozitës dhe mazhorancës. Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë Grida Duma deklaroi se tetë nga kompanitë e rindërtimit kanë pronarë të inkriminuar, teksa citonte BIRN. Ajo bëri akuza ndaj qeverisë se po avantazhohen persona me rekorde kriminale.
“Sa përfitojnë të punësuarit nga ky akt normativ dhe a do të ketë rritje pagash? Sa i përket çështjeve sociale është rritur energjia , nafta , përse ka një paketë vetëm për tenderat e rindërtimit dhe jo për qytetarët. Ndaj një tjetër shqetësim, sipas BIRN tetë nga kompanitë që kanë përfituar tendera në prokurimet e rindërtimit janë me pronarë të inkriminuar. Po avantazhoni njerëz me rekorde kriminale? Duam fatura financiare. Ua them unë, janë tetë pronare në hetim”, tha Duma. Ajo kërkoi nga mazhoranca listën e kompanive që prek ky akt.
“Listën e kompanive që prek ky akt. E kërkojmë me shkrim listën e prokurimeve mbi të cilat jeni bazuar që keni bërë këtë akt normativ. Ne duam listën e kontratave. Pa një faturë financiare të qartë nuk mund të marrim vendim. Kërkojmë vetëm listën e kompanive”, tha ajo.
Por zv.ministri i Infrastrukturës Ilir Bejtja tha se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë çështje, ndërsa shtoi se nuk ka ende një listë të kompanive.
“Nuk ka rritje pagash me këtë akt normativ. Ky akt normativ i referohet vetëm materiale që janë pesha bazë në kontrata publike dhe ndërmarrjeve publike me më tepër se 51 % kapital publik. Sa i përket inkriminimit duhet t’i drejtojmë pyetje Prokurorisë. Nuk i kam këto informacion. Nuk kemi nga prokuroria apo SPAK që tetë prej këtyre kompanive janë me pronar të inkriminuar. Kemi mbështetur ekonominë edhe gjatë pandemisë edhe në kohën e tërmetit. Paketa jonë i kalon 1 mld e gjysmë euro, nëse kjo është pak për tri vite, atëherë më duket të jemi pak ëndërrimtar”, tha Bejtja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




