Koncert me Laureatët në Universitetin e Arteve, bashkëpunimi institucional fuqizon skenën dhe talentin e ri

Kulturë | 7 muaj më parë

Koncerti i Laureatëve i Konkursit Ndërkombëtar “Ymer Skënderi”, në edicionin e tij të dytë, u shndërrua në një festë të vërtetë të talentit dhe profesionalizmit në skenën e Universitetit të Arteve.

Në një atmosferë artistike të ngrohtë dhe frymëzuese, laureatët sollën për publikun interpretime të nivelit të lartë, duke dëshmuar jo vetëm virtuozitet teknik, por edhe ndjeshmëri të spikatur muzikore.

Të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, ata ndërtuan një dialog të bukur mes solistit dhe orkestrës, duke e kthyer koncertin  në një përjetim të veçantë estetik.

Ky koncert erdhi si rezultat i një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes institucioneve, duke theksuar rolin e tyre në mbështetjen dhe promovimin e artistëve të rinj.

Në skenë performuan me sukses Rafael Gurra në fizarmonikë, Moritz Koçibelli në oboe, Dionis Berisha në kitarë, Tiziana Gaudino në violonçel, Herka Mejdani në piano, Silvana Caka në kanto dhe Joni Theodhor në violinë, të cilët, nën drejtimin e dirigjentit Laert Qazimi, sollën një mbrëmje të mbushur me emocion, elegancë dhe interpretim të rafinuar.

Koncerti u prit me duartrokitje të gjata, duke konfirmuar se talenti i ri, kur mbështetet dhe udhëhiqet siç duhet, është garancia më e fortë për të ardhmen e muzikës klasike në vend.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme