Koncerti i Kanye West, Rama: Shqipëria tregoi se di të organizojë ngjarje të përmasave botërore. Investimet në evente të mëdha sjellin punë, të ardhura dhe promovim për vendin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas koncertit të reperit me famë botërore Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar atë një ngjarje me ndikim të madh për imazhin dhe ekonominë e Shqipërisë. Në një videomesazh në rrjetin social Facebook, Rama iu përgjigj kritikave që shoqëruan organizimin e koncertit, duke argumentuar se investimet në evente të tilla nuk janë shpenzime të kota, por krijojnë vlerë dhe ndikim afatgjatë për vendin.
Sipas tij, Shqipëria nuk organizoi vetëm një koncert, por një aktivitet që falë famës globale të artistit dhe jehonës në rrjetet sociale u kthye në lajm në çdo cep të botës. Kryeministri tha se prej vitesh është përballur me të njëjtat kritika sa herë janë ndërmarrë projekte të mëdha publike, duke përmendur argumentet se fondet duhet të shkonin për pensionet apo shtresat në nevojë.
“Mbrëmë Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert, por një ngjarje. Falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit, u bë në çdo cep të botës një lajm. Por në Shqipëri, zakonisht, këtë herë edhe më shumë se zakonisht, arsyeja dihet, ngjarja u bë motiv i ri ndasie, ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti. U bë një jetë që sa herë jam përpjekur të bëj diçka të bukur, diçka ndryshe, diçka të re përmes projekteve publike, kam dëgjuar të njëjtin refren: ‘Populli s’ka bukë, s’na duhen fasadat, pensionistët po vdesin, varfëria është në kulm, s’duam koncerte’. Dhe pas klithmës së kundërshtisë fillojnë gjithmonë llogaritë absurde: do të merrte kaq ky, do të merrte kaq ai,” u shpreh ai.
Rama argumentoi se kjo mënyrë të menduari bazohet në një keqkuptim të mënyrës se si funksionon zhvillimi ekonomik, duke theksuar se investimet nuk u heqin para shtresave në nevojë, por krijojnë më shumë të ardhura.
“Në pamje të parë duket se kjo qasje ka debat dhe demagogët që mbushin pasqyrat e kanaleve sociale dhe fytyrat e vrerosura për popullin, duket se po thonë diçka që bën sens. Por në të vërtetë, përtej hipokrizisë së tyre, ky është keqkuptim themelor mbi mënyrën si zhvillohet një vend dhe si rritet një ekonomi. Zhvillimi nuk është bukë me madhësi fikse, ku çdo euro që ndahet për koncert i hiqet një pensionisti, të sëmuri apo nxënësi. Zhvillimi është aftësia për ta bërë bukën më të madhe, që në ndarjen e saj më pas të ketë më shumë për të gjithë”, theksoi kryeministri.
Duke folur për përfitimet konkrete të organizimit të një eventi të këtyre përmasave, Rama u shpreh se vlera e tij nuk matet vetëm me koston, por me ndikimin ekonomik dhe promovues që sjell. Ai theksoi më tej se organizimi i një koncerti të këtyre përmasave dërgon një mesazh të rëndësishëm për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
“Pyetja më e rëndësishme nuk është thjesht sa kushtoi, por sa vlerë krijon? Një investim vazhdon të prodhojë vlerë edhe pasi është bërë. Një koncert madhështor nuk lë pas vetëm një shenjë të bukur në kujtesën e atyre që e shijuan, por lë para në arkat e hoteleve, restoranteve plot, kafeneve, dyqaneve dhe sipërmarrjeve që merren me transportin, sigurinë e logjistikën. Ai krijon fitime për biznesin, mundësi pune dhe të ardhura për shtetin përmes taksave mbi atë vlerë të shtuar, ndërsa miliona sy drejtohen nga Shqipëria. Ai i tregon botës se ky është një vend që edhe kur ka protesta, ka mikpritje dhe siguri; një vend ku mund të organizohen ngjarje të mëdha me profesionalizëm, një vend i lirë e demokratik, ku nuk duhet të kesh drojë të vish për pushime, të kthehesh sërish dhe madje të mendosh të investosh”, deklaroi Rama.
Rama ndalet edhe te ndikimi që, sipas tij, do të kishte pasur anulimi i koncertit në perceptimin e të huajve për Shqipërinë, veçanërisht në një periudhë kur vendi pret mijëra turistë.
“Parafytyroni si ka shkuar ky mesazh te të huajt që kanë rezervuar të vijnë javët dhe muajt në vijim dhe, ndërkohë, ishin duke menduar anulimin e rezervimeve për shkak të protestës. Merreni me mend çfarë impakti negativ do të kishte anulimi i koncertit më të madh që Shqipëria ka organizuar ndonjëherë, jo vetëm për turistët, por edhe për investitorët e huaj. Investimet e huaja shkojnë aty ku ka besim, energji, siguri, reputacion dhe një shoqëri që beson te e ardhmja e vet”, u shpreh ai.
Rama theksoi se Shqipëria duhet të ndryshojë mënyrën e të menduarit për investimet që lidhen me promovimin dhe zhvillimin e vendit.
“Shqipëria e sotme s’duhet të pyesë vetëm: ‘Sa kushton?’. Shqipëria e sotme, që synon Ligën e Kampionëve të Mesdheut turistik, duhet të pyesë: ‘Sa vlerë krijohet nga ky investim?’. Kush është i varfër në aspiratë është i dënuar të mbetet shumë më mbrapa se mundësitë që ai ka”, tha Rama.
Më tej, Kryeministri u ndal edhe te debati për koston e organizimit të koncertit, duke iu përgjigjur kritikave për shumën prej 4 milionë eurosh.
“Dy fjalë për 4 milionë eurot: po, ato 4 milionë euro ishin investim, i bërë në minutën e fundit për të shpëtuar investime shumë më të mëdha për Shqipërinë, ekonominë e Tiranës dhe mijëra njerëz nga mbi 80 vende të botës që kishin prerë biletat për të ardhur këtu. Ishte një investim për të mos hapur një plagë të re mosbesimi ndaj një Shqipërie ku i kanë sytë të gjithë“, u shpreh Rama.
Ai shtoi se, sipas tij, këto para nuk do të ishin përdorur nga buxheti i shtetit nëse nuk do të ishte krijuar klima e tensionit dhe pasigurisë.
“E vërteta e 4 milionëshit është edhe më e plotë se kaq. Ato para nuk do të kishin dalë nga arka e shtetit po të mos ishin bërë kërcënimet, shantazhet dhe histeria e dhunshme e rrjeteve sociale”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




