Kongresmeni amerikan reagon për ish-krerët e UÇK-së, Keith Self: Shpresoj të mos ketë paragjykime politike në vendimin e Hagës
Kongresmeni amerikan Keith Self shprehu shqetësim se paragjykimet politike mund të ndikojnë në vendimmarrjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Një temë e vazhdueshme që po shfaqet nga Haga duket se është lejimi i paragjykimeve politike që të ndikojnë në vendimet e saj.
Shpresoj që një paragjykim i tillë të mos shfaqet këtë javë, kur të merret vendimi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe 3 dhe tre shqiptarëve të tjerë, të cilët luftuan për pavarësinë pas viteve të tëra të shtypjes serbe”- shkroi Self në platformën X. “Ballkani është një fuçi baruti në një rajon ku regjimet shtypëse nuk dëshirojnë asgjë më shumë sesa të nxisin flakët e përçarjes, në vend që të punojnë drejt pajtimit”, paralajmëroi ai.
Keith Self është kongresist republikan amerikan nga Teksasi dhe kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit. Ai ka shërbyer për 25 vjet në ushtrinë amerikane dhe ka përvojë me çështjet e sigurisë në Ballkan. Reagimi i kongresistit amerikan, Keith Self vjen vetëm një ditë para shpalljes së verdiktit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Kongresmeni republikan në prill paraqiti një rezolutë në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO, ndërsa gjat verës ai zhvilloi vizita në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, ku u njoh nga afër lidhur me respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




