Kontrolli për diabetin mbi 70 vjeç, Toti: 20% e personave të padiagnostikuar

Sociale | 2 vite më parë

Në Shqipëri jetojnë me sëmundjen e diabetit mbi 95 mijë persona, nga të cilët 30 mijë vetëm në kryeqytet.

80% rasteve janë diagnostikuar tashmë falë kontrollit bazë, por 20% e personave që e kanë këtë sëmundje ende nuk e dinë.

Mjekët kërkojnë zgjerimin e fashës së check-up.

“Check-up duhet të zgjerohet mbi moshën 70 vjeç, pasi të sëmurët kronikë duhet t’i kërkojmë në këtë grupmoshë dhe aty mund të parandalojmë dëmet, duke kapur në kohë problemet e diabetit,” thotë endokrinologu Florion Toti.

Kontrollet parandaluese janë shtuar që në mosha të reja, shton doktori, por problem mbetet trajtimi i çekuilibruar i diabetit sa për faj të organizimit të sistemit, sa për faj të vetë pacientit, duke sjellë pasoja të rënda.

“Po vëmë re një shtim të rasteve me retinopati diabetike, me edemë okulare, me këmbë diabetike, të cilat duhen parandaluar dhe trajtuar në kohë,” shprehet z. Toti.

Për të parandaluar diabetin tek fëmijët, mjekët kërkojnë hapjen e territoreve të shkollave për aktivitete sportive.

“Bashkia të lehtësojë aksesin në ambientet e palestrave dhe oborreve në shkolla me qëllim largimin e fëmijëve nga mjetet elektronike dhe futjen e tyre në sport,” shton endokrinologu Toti.

Për sa i përket trajtimit, mjekët thonë se e gjitha paketa e medikamenteve për diabetikët është e mbuluar falë rimbursimit, ndërsa lehtësira janë bërë edhe për pacientët në rrethe.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme