Korrigjime në vota, jo mandate. Rinumërohen 70% e votave në Tiranë, “Mundësia” ruan mandatin

Politikë | 1 vit më parë

Rinumërimi i 70% të qendrave të votimit në qarkun Tiranë, i zhvilluar në pallatin e sportit “Farie Hoti”, ka sjellë humbje votash për dy partitë kryesore, por pa ndikuar në shpërndarjen përfundimtare  të mandateve.

Rezultatet paraprake nga 896 qendra të rinumëruara, prej 1200 gjithsej në qark, tregojnë një ulje votash për dy partitë kryesore: 466 për PD dhe 337 për PS.

Behet fjalë për vota që ishin përfituar në numërimin fillestar, por që u korrigjuan dhe u hoqën nga tabela përmbledhëse pas verifikimit dhe rinumërimit.

Megjithatë, këto lëvizje në numra deri tani nuk sjellin ndryshime në hartën politike të parlamentit të ardhshëm, ku raporti i forcave politike pritet të mbetet i pandryshuar.

Gjasat janë që Partia Mundësia të ruaj mandatin e dytë në Tiranë, ndërsa PD nuk arrin të sigurojë mandatin e 14-të, ashtu siç kishte pretenduar.

Në radhët e Partisë Socialiste, gara për mandatin e deputetit është e ngushtë mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, kjo e fundit ka ngushtuar diferencën dhe ndodhet 73 vota larg Xhaçkës .Gjithsesi janë edhe 30% e votave për t’u rinumëruar dhe rezultatit final do vuloset në kutinë e fundit.

Gazetare: Jonida Omeri


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme