Kreditë bankare rritin sigurimin e jetës, zjarret dhe fatkeqësitë natyrore rritin me 20% dëmet e paguara për pronat

Ekonomi | 2 muaj më parë

Tregu shqiptar i sigurimeve ka shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë periudhës Janar – Korrik 2026, ku të ardhurat nga shitja e policave kapën vlerën e 15.92 miliardë lekëve. Paralelisht me xhiron, edhe dëmshpërblimet e paguara ndaj qytetarëve pësuan një kërcim të ndjeshëm me mbi 12%, duke arritur në 5.41 miliardë lekë.

Në këtë panoramë, marrja e kredisë në bankë po nxit fort rritjen e sigurimit të jetës, duke u kthyer në një nga zhvillimet kryesore të tregut. Ky sektor u zgjerua me 5.75%, kryesisht i ndihmuar nga kontratat e detyrueshme që lidhen me huatë bankare. Megjithatë, rritja e xhiros u shoqërua edhe me një shtim të madh prej 23.30% të numrit të dëmeve të paguara, si pasojë e dinamikës së planeve fleksibël.

Nga ana tjetër, ndryshimi më i madh vjen nga sigurimi i makinave, i cili mban edhe peshën kryesore në treg. Çmimet në këtë sektor pësuan rritje me futjen në fuqi të sistemit bonus-malus, ku shoferët që shkaktojnë aksidente tashmë paguajnë më shtrenjtë. Ndryshe nga sigurimi i brendshëm, shitjet e kartonit jeshil pësuan rënie, për shkak të lehtësimit të lëvizjes së autoveturave drejt vendeve fqinje që janë anëtare të CEFTA-s.

Një situatë mjaft e veçantë dhe paradoksale u vu re te sigurimi vullnetar i shtëpive. Edhe pse njerëzit blenë më pak polica sigurimi, dëmet e paguara nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore u rriten me pothuajse 20%.

Pavarësisht luhatjeve ne segmente te ndryshme, statistikat e muajve të fundit tregojnë se aktiviteti i përgjithshëm i dëmeve tashmë është stabilizuar.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme