Kremlini shpreson rifillimin e bisedimeve me Ukrainën, të ndërmjetësuara nga SHBA

Moska shpreson se bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të rifillojnë së shpejti.
Deklarata u bë të mërkurën, më 9 shtator, nga zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, pas një bisede telefonike mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Bisedimet e tilla ishin planifikuar që prej muajit shkurt, por procesi mbeti i bllokuar.
Fundjavën e kaluar, Trump dërgoi negociatorët e tij fillimisht në Moskë dhe më pas në Kiev, në përpjekje për të ringjallur dialogun.
Në një koment paralel, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se mund të hartohet një plan veprimi për rifillimin e bisedimeve dhe për të punuar drejt një rezultati të pranueshëm për të dyja palët.
Megjithatë, hendeku midis Moskës dhe Kievit mbetet i thellë, pasi Ukraina refuzon kërkesat e Rusisë për më shumë territor.
Peskov theksoi se Rusia nuk do të diskutojë publikisht elementë specifikë të një zgjidhjeje të mundshme paqeje, por konfirmoi se ekziston “vullnet politik” për të rinisur negociatat.
“Shpresojmë që këto negociata të rifillojnë në të ardhmen e afërt dhe të qëndrojmë në kontakt me homologët tanë amerikanë,” deklaroi ai, një ditë pas telefonatës Trump-Putin.
Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se çështja e shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe SHBA-së mbetet një “pikë e përhershme në axhendë”.
Ai kujtoi se muajin e kaluar Rusia liroi një të burgosur amerikan, Robert Gilman, me kërkesë të Presidentit Trump.
Të dy vendet kanë kryer disa shkëmbime të burgosurish vitet e fundit. Marrëveshja më e madhe ndodhi në gusht 2024, kur Rusia mori mbrapsht tetë persona të mbajtur në Perëndim, përfshirë një anëtar të shërbimit të sigurisë FSB të dënuar për vrasje në Gjermani.
Në këmbim, 16 persona u liruan nga burgjet ruse dhe bjelloruse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




