Krijimtaria e Preç Zogajt rikthehet në Lezhë, mbrëmje artistike me poezi, muzikë dhe emocione nga katër dekada krijimtarie
Krijimtaria e Preç Zogajt u rikthye në qytetin e Lezhës përmes një mbrëmjeje artistike që solli para publikut një përzgjedhje poezish të shkruara përgjatë katër dekadave, nga viti 1984 deri në vitin 2024. Vargjet e poetit u interpretuan nga tre emra të njohur të skenës shqiptare, Yllka Muja, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia, të cilat përcollën emocione, kujtime dhe reflektime të mbartura në krijimtarinë e Zogajt.
Mbrëmja u pasurua edhe me këngë të krijuara mbi tekstet poetike të autorit, të interpretuara ndër vite nga Frederik Ndoci dhe tashmë pjesë e fondit të njohur muzikor shqiptar. Interpretimet muzikore i dhanë aktivitetit një dimension të veçantë artistik, duke ndërthurur poezinë me muzikën.
Mes duartrokitjeve të vazhdueshme, emocionet me të pranishmit i ndau edhe vetë poeti. Preç Zogaj u shpreh se rikthimi i poezisë së tij përmes zërave të aktorëve të njohur dhe përballë publikut lezhjan ishte një përjetim i veçantë, që e bëri këtë mbrëmje ndryshe nga të tjerat.
“Ky është çmimi më i lartë që ka marrë poezia ime në Lezhë dhe edhe çmimi më i lartë që mund të marrë poezia”, tha Zogaj.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vlerësoi figurën dhe kontributin e Preç Zogajt në kulturën shqiptare. Ndërsa, këngëtari Frederik Ndoci theksoi se poezia e Zogajt ka qenë një burim i rëndësishëm frymëzimi në krijimtarinë e tij muzikore, duke sjellë këngë që vazhdojnë të dëgjohen dhe të vlerësohen edhe sot.
“Na nderon duke qenë një ndër ë penat më digitoze shqiptare, por edhe më gjerë dhe për ne është një krenari”, tha Ndreu.
Në sallën e mbushur me artdashës, publiku ndoqi me vëmendje çdo interpretim, duke e shndërruar mbrëmjen në një dialog të veçantë mes poetit, aktorëve dhe lexuesve të tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




