Krim makabër në Napoli, dy vëllezër akuzohen për vrasjen e babait të tyre

Europë | 1 vit më parë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Quarto, pranë Napolit, ku dy vëllezër, të moshës 34 dhe 42 vjeç, janë ndaluar nga karabinierët, të akuzuar për vrasjen e babait të tyre, Antonio Di Gennaro, 72 vjeç.

Alarmi u dha mbrëmjen e djeshme nga partnerja e 72-vjeçarit, e cila raportoi zhdukjen e tij në stacionin e policisë. Menjëherë, karabinierët nisën hetimet dhe, gjatë një kontrolli në shtëpinë e dy vëllezërve të arrestuar, gjetën trupin e viktimës të fshehur në një arkë në tarracë. Shtëpia ndodhet në zonën qendrore të Quartos, një qytet i populluar në periferi të Napolit.

Hetimi, i koordinuar nga zyra e prokurorit të Napolit, u krye nga Karabinierët e degës Quarto dhe ata të Kompanisë Pozzuoli. Pavarësisht se dy vëllezërit nuk kanë të kaluar kriminale, ndaj tyre janë mbledhur “prova të forta” që i akuzojnë për vrasjen e babait të tyre.

Antonio Di Gennaro ishte zhdukur që prej datës 3 qershor, sipas dëshmisë së partneres së tij. Ky krim makabër ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal. ANSA

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme