Kriza e boksit, të shtunën zgjidhja

E shtuna zgjidh problemet e boksit shqiptar, që më së shumti janë thelluar pas ngjarjeve të dhunshme që kanë ndodhur në Kampionatin Kombëtar të të rriturve në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Sherri masiv mes tifozëve kuqeblu dhe kryetrajnerit të Tiranës, Sead Bushati, apo largimi i bardhebluve nga kampionati nuk është se po kalohet lehtë. Dhe reflektimi i parë erdhi të dielën nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, që tashmë ka bërë kërkesë për dorëheqje.
Pikërisht nga i pari i dorezave shqiptare, i konfirmuar në këtë pozicion në korrik 2020, teksa fitoi garën me Jani Nanon, mësohet se të shtunën do të mblidhet jo vetëm kryesia, por edhe më gjerë komuniteti i boksit shqiptar. E në rendin e ditës, gjithnjë sipas informacionit që jep Kalivopulli, do të jetë paraqitja e kërkesës së presidentit, e cila më pas do të hidhet në votë. Po kështu një analizë e gjerë e të gjithë ngjarjes që ka ndodhur në Shkodër dhe për masat ndëshkimore ndaj atyre që “gatuan” këto incidente do të kërkohet edhe ndihma e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Aq më tepër që Kalivopulli është anëtar i Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kështu që fundjava pritet t’i vërë pikat mbi “i” dorezave shqiptare, kuptohet për një rrugë ndryshe, e cila ka lidhje me sportin e jo me dhunën.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




