Kroacia: Aktgjykimi i Hagës nuk ndryshon kontekstin historik të luftës, as faktin se populli i Kosovës ishte viktimë e Millosheviçit

Kosovë | 48 minuta më parë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në një reagim zyrtar, ministria kroate tha se është në dijeni të vendimit, duke theksuar se bëhet fjalë për një aktgjykim jo përfundimtar dhe se nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin përfundimtar të procesit gjyqësor.

“Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ky është një aktgjykim jo përfundimtar dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë rezultatin përfundimtar të procedurës”, thuhet në reagim.

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Kroacisë theksoi se aktgjykimi nuk ndryshon, sipas saj, kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe faktin që Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.

“Në të njëjtën kohë, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, e as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet më tej në reagim.

Kroacia ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk duhet të përdoret për relativizimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë apo për të vënë në pikëpyetje lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, përfundon reagimi i ministrisë kroate.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme