Ku janë centralet bërthamore të Iranit dhe a ka armë bërthamore?

Botë | 1 vit më parë

Objektiva të ndjeshme bërthamore në Iran janë goditur nga sulme ajrore izraelite, në përpjekje për të bllokuar përparimin e Teheranit drejt zhvillimit të armëve atomike. Mediat iraniane dhe dëshmitarë në terren raportuan shpërthime të fuqishme, përfshirë edhe në kompleksin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi sulmet, duke deklaruar se qëllimi ishte “dëmtimi i infrastrukturës bërthamore të Iranit, fabrikave të raketave balistike dhe aftësive ushtarake”.

Sipas SHBA-së dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Irani ka pasur një program sekret për armë bërthamore, të cilin e ndërpreu në vitin 2003. Megjithatë, Republika Islamike mohon kategorikisht se ka zhvilluar ose synon të zhvillojë armë të tilla.

Cilat janë objektivat bërthamore të Iranit?

Programi bërthamor i Iranit është i shpërndarë në disa zona strategjike, shumë prej të cilave ndodhen në vende të izoluara ose nëntokësore, për t’i rezistuar sulmeve ajrore.

Natanz

Netanyahu tha të premten se Izraeli kishte shënjestruar Natanzin si pjesë të sulmit të tij. Është një kompleks në zemër të programit të pasurimit të Iranit, në një fushë që kufizohet me malet jashtë qytetit të shenjtë mysliman shiit të Qomit, në jug të Teheranit. Natanzi përmban objekte, duke përfshirë dy uzina pasurimi: Uzinën e madhe nëntokësore të Pasurimit të Karburantit (FEP) dhe Uzinën Pilot mbitokësore të Pasurimit të Karburantit (PFEP).

FEP u ndërtua për pasurim në shkallë komerciale, i aftë të strehojë 50,000 centrifuga. Aktualisht, atje janë instaluar rreth 16,000 centrifuga, nga të cilat rreth 13,000 janë në funksion, duke rafinuar uraniumin deri në 5 përqind pastërti.

Fordou

Në anën tjetër të Qom-it, Fordou është një vend pasurimi i gërmuar në një mal dhe për këtë arsye ndoshta është më i mbrojtur nga bombardimet e mundshme sesa FEP-i. Marrëveshja e vitit 2015 me fuqitë e mëdha nuk e lejoi fare Iranin të pasuronte uranium në Fordou. Tani ai ka rreth 2,000 centrifuga që veprojnë atje, shumica e të cilave janë makina të përparuara IR-6, nga të cilat deri në 350 po pasurojnë deri në 60 përqind.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca njoftuan në vitin 2009 se Irani kishte ndërtuar fshehurazi Fordow për vite me radhë dhe nuk kishte informuar IAEA-n.

Isfahan

Irani ka një qendër të madhe të teknologjisë bërthamore në periferi të Isfahanit, qytetit të dytë më të madh. Ai përfshin Uzinën e Fabrikimit të Pllakave të Karburantit dhe impiantin e konvertimit të uraniumit që mund të përpunojë uraniumin në heksafluorur uraniumi që futet në centrifuga. Diplomatët thonë se Irani gjithashtu ruan uranium të pasuruar në Isfahan.

Në Isfahan ka pajisje për të prodhuar uranium metalik, një proces që është veçanërisht i ndjeshëm ndaj përhapjes, pasi mund të përdoret për të ndërtuar bërthamën e një bombe bërthamore.

Khondab

Irani ka një reaktor kërkimor me ujë të rëndë të ndërtuar pjesërisht, fillimisht të quajtur Arak dhe tani Khondab. Reaktorët me ujë të rëndë paraqesin rrezik për përhapjen bërthamore sepse mund të prodhojnë lehtësisht plutonium, i cili, ashtu si uraniumi i pasuruar, mund të përdoret për të bërë bërthamën e një bombe atomike.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, ndërtimi u ndal, bërthama e reaktorit u hoq dhe u mbush me beton për ta bërë të papërdorshëm. Reaktori duhej të riprojektohej “për të minimizuar prodhimin e plutoniumit dhe për të mos prodhuar plutonium të nivelit të armëve në funksionimin normal”. Irani e ka informuar IAEA-në se planifikon të fillojë funksionimin e reaktorit në vitin 2026.

Qendra kërkimore e Teheranit

Objektet kërkimore bërthamore të Iranit në Teheran përfshijnë një reaktor kërkimor.

Bushehr

I vetmi termocentral bërthamor në funksion i Iranit, në bregdetin e Gjirit, përdor karburant rus që Rusia e merr mbrapsht kur të shpenzohet, duke zvogëluar rrezikun e përhapjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme