Kukës, Policia masa shtesë në rrugët dhe kryqëzimet pranë shkollave
Mëngjesi, orari i pushimit të gjatë në shkolla, por edhe orët që përkojnë me përfundimin e procesit mësimor, shoqërohen me një trafik të rënduar të mjeteve në qytetin e Kukësit, kryesisht në zonat pranë shkollave dhe institucioneve të arsimit parashkollor.
Në këto kushte, është parë domosdoshmëri një prezencë më e lartë e Policisë Rrugore dhe njësive të tjera operacionale për garantimin e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e problematikave që vijnë si pasojë e këtij trafiku.
Nënkomisar Vasil Llaçe, specialist i Trafikut Urban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, thotë se këto orare janë prioritet për t’u monitoruar dhe menaxhuar nga strukturat e policisë. Në kryqëzimet kryesore, Policia Rrugore bashkëpunon ngushtë edhe me Policinë Bashkiake.
Nënkomisar Vasil Llaçe thekson se “qytetarët dhe përdoruesit e rrugës duhet të bëhen pjesë ndihmëse në situata të tilla, duke respektuar rregullat e qarkullimit dhe sinjalistikën”.
Sipas tij, përdoruesit e rrugës në tërësi në Kukës kanë një shkallë më të lartë ndërgjegjësimi, por nevojitet më tepër punë nga të gjitha strukturat për një trafik normal dhe sipas rregullave në zonat urbane.
Paralelisht me sensibilizimin qytetar, është punuar edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës në qytet. Për shkak të kushteve atmosferike, sinjalistika vertikale dhe horizontale ende nuk ka përfunduar, për të cilën, sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Kukësit, do të rinisë menjëherë sapo kushtet atmosferike të jenë optimale për një proces pune të tillë, që kërkon kushte specifike teknike.
Gazetar: B. Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




