Kukësi, pesë ditë kohë për lirim vullnetar të hapësirave publike, vijon aksioni ndërinstitucional
Është dita e katërt e aksionit për verifikimin në terren të subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Kukës, nëse janë në përputhje me ligjin apo edhe shfrytëzimin e hapësirave publike.
Në katër ditë aksion janë kontrolluar pjesa më e madhe e subjekteve tregtare dhe të shërbimit. Pavarësisht se ky aksion ka në thelb verifikimin nëse këto njësi shërbimi kanë zënë ose jo hapësira publike, ato i janë nënshtruar edhe kontrolleve të tjera, duke qenë se grupet e punës kanë në përbërje, veç Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, edhe inspektorë të Taksave dhe Tatimeve, Inspektoratin Shtetëror të Punës, Mjedisit, Urbanistikës, Policisë Bashkiake dhe asaj vendore, krimit ekonomik etj.
Një pjesë prej subjekteve kanë rezultuar me probleme, qoftë për zbatimin e detyrimeve të përcaktuara me ligj, si taksat dhe tarifat vendore, destinacioni i kryerjes së shërbimit, montimi i strukturave jashtë lejes së dhënë, tejkalimi i lejes së shfrytëzimit për hapësirat publike dhe mosrinovimi i tyre, detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, regjistrimi i punonjësve etj.
Për një pjesë të njësive të shërbimit, afati për lirimin vullnetar përfundon ditën e hënë, ku do të rinisë verifikimi në terren për të parë nëse kanë çmontuar vullnetarisht strukturat dhe konstruksionet në hapësirat publike. Në të kundërt, do t’i nënshtrohen prishjes me detyrim nga institucionet ligjzbatuese.
Pas qytetit të Kukësit, aksioni do të vijojë edhe në zonat e tjera të njësive administrative, por edhe në zonat turistike. Për momentin nuk raportohen probleme që kanë të bëjnë me kundërshtimin e veprimeve nga ana e subjekteve apo edhe veprime të tjera që bien ndesh me zbatimin e këtij urdhri.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




