Kupa e Pavarësisë së Kosovës bashkon veteranët

Sporte të tjera | 5 vite më parë

14-vjetori i themelimit të Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë ka mbledhur veteranët e futbollit të Flamurtarit, ato të kombëtares së Kosovës, si dhe një ekip nga Korfuzi i Greqisë. Gjithçka është organizuar nga ish-futbollisti i Flamurtarit të viteve 80’-90’, Vasil Ruci, që ka mbledhur emra të njohur të topkëmbës të të tri vendeve. Qëllimi i aktivitetit ishte se sporti dhe futbolli bashkojnë, ndërsa veprimtari të tilla do të duhet të jenë më të shpeshta.

Prefektja e Janinës, Botsi Stavrula, ka falënderuar të gjithë ata që bënë të mundur këtë aktivitet, në veçanti Vasil Rucin.

 “Ne të gjithë treguam se sa mesazhe të rëndësishme jep futbolli. Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, ndërsa të gjithë së bashku japim mesazhin e paqes dhe të vëllazërimit. Sot kemi zgjedhur futbollin për të tilla vlera, por edhe në fusha të tjera do të tregojmë të njëjtën frymë”.  

Nënkryetari i Bashkisë së Igumenicës, Mihalis Gikas, ka mbetur shumë i kënaqur me aktivitetin në fjalë, ndërsa ka premtuar se një i tillë shumë shpejt do të mund të zhvillohet dhe në Greqi.

 “Ky është një aktivitet që bashkon tre popuj, ndërsa dua t’ju falënderoj që na keni ftuar në Kosovë. Të gjithë lojtarët dhanë mesazhe shumë të rëndësishme, ndërsa futbolli tregoi dhe një herë se çfarë mund të japi dhe të përcjellë për të gjithë njerëzimin”.

I pranishëm ka qenë edhe tenori Kastriot Tusha, i cili ka kënduar dhe himnet e tri shteteve. Veteranët e Kosovës kanë dalë fitues të turneut, teksa kanë mundur Flamurtarin dhe skuadrën e Korfuzit. Ceremonia ka vijuar me ndarjen e kupës për skuadrën fituese, kurse e papritura më e madhe ishte festimi i datëlindjes së Vasil Rucit, një surprizë e realizuar nga të pranishmit dhe tenori Kastriot Tusha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme