Kurti: Do t’i ftoj liderët e opozitës në takim, vendit nuk i duhen zgjedhje të reja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sot do t’i dërgojë ftesa liderëve të partive opozitare për një takim që pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Ai theksoi se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për stabilitet institucional.
“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme,” tha Kurti pas përurimit të hapësirave të rinovuara të Institutit të Anatomisë Patologjike në QKUK.
Kurti kujtoi takimet e mëparshme me liderët e opozitës, duke shprehur keqardhje që nuk pati komunikim në ditët e fundit para afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
“Unë kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy me kryetarin e PDK-së. Fatkeqësisht në 48 orët e fundit para se të mbërrinim te mesnata e 5 marsit nuk ka pasur asnjë takim. Mendoj që kjo ka qenë dëm dhe gabim. Është dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit,” tha ai.
Kryeministri theksoi se vendi ka kaluar një vit me shumë procese zgjedhore dhe përsëritja e tyre nuk do të ishte e dobishme.
“Presidentja e Republikës është kreu i shtetit, ku unë jam kryeministri i vendit. Kemi një çështje që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vihet te fakti që vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje. Jam i bindur që s’duhet ta përsërisim. Viti 2026 është vit i ri, nuk është as e drejtë as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Andaj është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit,” u shpreh Kurti.
Ai paralajmëroi se bllokimi i Kuvendit ka sjellë pasoja të mëdha për vendin, duke përmendur vonesa në projekte ndërkombëtare.
“Mbi 120 milionë euro të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare na janë vonuar për shkak se nuk punonte Kuvendi. Në anën tjetër zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë se kush e ka shumicën dërrmuese, LVV ka fituar me 51.1%. Çështja është te korumi prej 80 deputetëve dhe nuk besoj se na duhen zgjedhjet e reja për të pasur garë se a po i bëjmë 80 deputetë,” tha Kurti.
Duke folur për zgjedhjet e fundit parlamentare, ai sqaroi se data e vetme e realizueshme ishte 28 dhjetori, për shkak të sfidave teknike dhe buxhetore.
“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak të sfidave teknike e logjistike. Mos harroni që ne kishim në tetor dhe nëntor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hymë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor,” tha Kurti.
Kryeministri përsëriti se prioriteti i institucioneve duhet të jetë stabiliteti dhe funksionalizimi i Kuvendit, jo zgjedhje të reja.
“Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura. Ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë,” përfundoi Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




