Takimi konsultativ mes kryetarëve mbyllet pa rrugëdalje, Kurti: Dy kompromiset tona u refuzuan. Krasniqi: Kryeneçësia politike vazhdon

Kosovë | 1 vit më parë

Opozita në Kosovë e sheh vetën në anën e drejtë dhe jo shkaktare të krizës parlamentare që po kalon vendi prej muajsh, duke mos arritur të konstituojë Kuvendin pas zgjedhjeve.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti, takoi të shtunën liderët e partive parlamentare për t’u propozuar atyre dy kompromise pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese: së pari, që kandidatja e tij për kryeparlamentare Albulena Haxhiu të hidhet të paktën një herë në votim të fshehtë, dhe propozimi i dytë, që kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të votohen në paketë pas marrëveshjes politike mes palëve në Komisionin për Votim të Fshehtë.

“Votimi i fshehtë nuk mund të shpallet antikushtetues. Ky Komision nuk u shpall antikushtetues. Lëvizja Vetëvendosje ofroi dy kompromise. U refuzuan. Ne e bëmë lëvizjen. Tash partitë opozitare po thonë ‘le të ndryshojë Lëvizja Vetëvendosje’. Po ne i mbajtëm zgjedhjet në shkurt. Populli tha le të ndryshojë opozita, se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e qartë. Unë si bartës i listës së Vetëvendosjes kam numrin më të madh, rekord, të parlamentarizmit në Kosovë. Vetëvendosja është më e madhe se PDK-ja dhe LDK-ja së bashku. Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit tregon pakënaqësi popullore me opozitën, jo me Vetëvendosjen.

Partitë opozitare nuk e kanë problem Albulena Haxhiun sa e kanë votimin e fshehtë. Nëse janë aq të sigurt në vetvete, pse nuk e lejojnë votimin e fshehtë? Qytetarët kanë votuar fshehtë, apo jo. Le të votojnë edhe deputetët fshehtë, si qytetarët,” deklaroi z. Kurti në një konferencë për shtyp pas takimit konsultativ.

Tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit do të jetë e 38-ta, pasi të mëparshmet kanë dështuar njëra pas tjetrës që nga 15 prilli. Gjykata Kushtetuese ka sugjeruar që legjislatura e 9-të ka afat për t’u formuar jo më vonë se 30 ditët e ardhshme.

“Së bashku me nënkryetaren e LDK-së, deputeten Bajrami morën pjesë me vullnetin e qëllimin më të mirë për të gjetur zgjedhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën që i gjithë ky takim ishte më tepër një farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht, droja jonë u vërtetua në këtë takim meqë qëndrimet e deputetit Kurti, thirrësit të këtij takimi ishin të njëjta që kanë qenë deri më tani. Kurti e pranoi që nuk ka shumicë, por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake që ka pasur deri tani. Të votohet fshehtas ose të rrëzohet votimi i fshehtë, duke u votuar Haxhiun sërish, dhe më pas një ndërlidhje e përçudnuar e votimit për kryetar të Kuvendit me nënkryetarët. Moslëvizja nga këto pozicione e bënë fatkeqe gjendjen e tanishme politike,” deklaroi kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit gati dyorësh, edhe kryedemokrati Memli Krasniqi i zhgënjyer e akuzoi z. Kurti për “kryeneçësi politike”.

“Ky takim, që u ftua nga z. Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi që edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ia jep atij për konsultime në mirëbesim dhe për përgjegjësinë e detyrimin për të gjetur konsensus apo kompromis, rezultoi i pasuksesshëm, sepse përkundër faktit se situata më nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, z. Kurti është i njëjtë dhe qëndrimet e tij mbeten të njëjta. Mentaliteti imponues e kryeneçësia politike vazhdon, si duket, të jetë për të më prioritare e më e rëndësishme sesa gjetja e zgjidhjes e përfundimi i bllokadës në të cilën është duke e mbajtur vendin që sa e sa kohë,” u shpreh z. Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës e sqaroi në fundjavë qëndrimin e vet në lidhje me aktgjykimin e Kushtetueses.

“Gjykata e bën të qartë se e drejta për të propozuar Kryetarin nuk mund të përdoret për të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Me fjalë të tjera, grupi më i madh parlamentar nuk mund të përdorë këtë të drejtë si mjet për të penguar procesin demokratik, duke refuzuar bashkëpunimin apo duke imponuar një zgjidhje njëanshme,” tha deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të votohet fshehtas nga deputetët, me bindjen se ajo mund t’i marrë votat e kërkuara nëse deputetët do të shpreheshin individualisht pa presionin e partisë së tyre. Sipas PDK-së, votimi i tillë nënkupton ndryshim të rendit të ditës, që nga aktgjykimi i fundit shihet si shkelje e Kushtetutës.

“Çështja e votimit të fshehtë ka qenë problematike. Janë tri paragrafë të aktgjykimit që e sqarojnë çështjen e votimit të fshehtë. Gjykata Kushtetuese ka thënë nuk mund të ketë votim të fshehtë në rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit,” tha z, Gruda.

Në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, z. Kurti, nga PDK-ja mori pjesë kryetari Memli Krasniqi dhe nënkryetarja Vlora Çitaku; nga LDK-ja, kryetari Lumir Abdixhiku dhe deputetja Hykmete Bajrami; nga Lista Guxo, bashkëkryetari Faton Peci. Alternativa u përfaqësua nga Mimoza Kusari Lila dhe nga Nisma Socialdemorakte mori pjesë kryetari Fatmir Limaj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e partive nga komunitet joshumicë. /RTK 1, RTK 2

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme