Kuvend- Kapri dhe Karakaçi debat për Portin e Durrësit. Shtyhen 3 interpelancat e tjera me Kumbaron, Nufin dhe Koçiun

Politikë | 7 muaj më parë

Interpelanca e kërkuar me kryeministrin Rama nga deputetët e Partisë Mundësia për Portin e Durrësit u shoqërua me debate në Kuvend. Ajo u zhvillua me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të cilit iu delegua përgjigjja. Deputeti Erald Kapri akuzoi qeverinë se po rrezikon Korridorin 8 dhe po vepron pa transparencë në projektin e Porto Romanos.

“Ministër ju anuluat tenderin e ndërtimit të portit të ri pa dhënë llogari dhe pa ia mbajtur garancinë prej 8 mln euro kompanisë që  qëndroi në garë de u tërhoq. Gjatë garës përjashtuar disa kompani me emër ndërkombëtar. Kjo çështje po hetohet nga SPAK. Kush janë motivet që po prishni portin ekzistues, duke sabotuar korridorin 8”, tha Kapri.

Ministri Karakaçi i hodhi poshtë akuzat. Ai sqaroi se projekti është i mirëstuduar dhe me kapacitete më të larta se porti aktual, duke e cilësuar Porto Romanon një investim strategjik edhe për sigurinë.

“Porti aktual është  pamundur të zgjerohet përtej kufijve ekzistues. Porti i ri është projekt i mirëmenduar, i hartuar me ekspertizë ndërkombëtare. Kapaciteti i portit është për të menaxhuar maksimumi 200 mijë kontejner, jemi në kufirin maksimal. Porti i ri ka kapacitet 600 mijë kontejner deri në 1 milionë kontejner. Porto Romano është një ekosistem i tërë ekonomik. Një tjetër element thelbësor, ai i dimensionit të sigurisë është kërkesë  qeverisë kërkuar NATO që në këtë port të përfshihet dhe bazë ushtarake e NATO-s.  Porti i Durrësit ka thellësi deri në 8 m. Porti i ri në fazën e  parë shkon në 13 m dhe më pas deri në 16 m. Ministri as nuk e bën e as nuk e anulon tenderin. Ka pasur 2 procedura, në të fundit ka pasur 5 subjekte që kanë aplikuar, janë të gjitha kompani ndërkombëtare. Ka pasur një subjekt që është kaluar në fazën përmbyllëse, por me të drejtën e tij ai është tërhequr. Marina e Durrësit nuk e impakton operacionalitetin e portit të Durrësit”, tha Karakaçi.

Në të njëjtën seancë, ku ishin parashikuar katër interpelanca, tre prej tyre u shtynë. Interpelanca me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, u shty për mungesë të tij. Ajo me zv/kryeministren Albana Koçiu u shty me mirëkuptim. Ndërsa interpelanca tjetër u shty për shkak të angazhimeve zyrtare të ministres përkatëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme