Kuvendi miraton rregullat për performancën energjetike të ndërtesave për konsum minimal

Ekonomi | 1 vit më parë

Kuvendi miratoi sot me 72 vota pro dhe 1 kundër projektligjin “Për performancën energjetike të ndërtesave”.

Miratimi i këtij projektligji e bën Shqipërinë vendin e parë në rajon që zbaton në mënyrë të plotë direktivën më të fundit të Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Kjo nismë ligjore synon transformimin rrënjësor të mënyrës se si ndërtohen dhe rinovohen ndërtesat në Shqipëri, me objektivin që deri në vitin 2050, të gjitha godinat, publike dhe private të kthehen në ndërtesa me konsum minimal energjie.

Ligji nuk është një përafrim formal me BE-në, por një politikë konkrete dhe e strukturuar, që vendos në qendër qytetarët, mjedisin dhe kursimin e energjisë.

Përmes këtij ligji do të hyjnë në fuqi librezat e rinovimit të ndërtesave që ndihmon pronarët për investime eficiente dhe me benefite në aspektin energjetik.

Çdo objekt në Shqipëri do të ketë këtë librezë të vetën. Në qendër të kësaj nisme janë familjet në vështirësi ekonomike që nuk kanë pasur mundësi të rinovojnë apartamentet e vjetra, duke i ndihmuar ato përmes incentivave që të mos mbetet pas në nevojën për një transformim dhe kursim të energjisë.

Gjithashtu synohet vendosja e paneleve diellore në objektet e reja dhe tek ato që do t’i nënshtrohen rinovimit.

Synimi është që të gjitha ndërtesat e reja do të jenë të pajisura me pikën e karikimit inteligjent që duhet ta zbatojnë firmat e ndërtimit.

Shqipëria ka pasur një bilanc të suksesshëm energjetik, ku nga niveli 50% i humbjeve në rrjet në 2013 ka arritur në 18% dhe synon standardet e BE për ketë tregues.

Nga 1 shkurti i këtij viti çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë u ul me 10,5%, nga i cili përfituan 95% e familjeve shqiptare – rreth 1.070.000 abonentë. /ATA

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme