Lahuta shpallet trashëgimi botërore nga UNESCO, Hysa: E shpëtuam traditën nga rreziku i zhdukjes
Pas 20 viteve nga futja e ISO-s polifonike në listën e trashëgimisë jomateriale të UNESCO-s dhe tre vite pas regjistrimit të Xhubletës, tashmë edhe Lahuta është bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
Ky është një moment krenarie dhe arritjeje të madhe për kulturën shqiptare, duke u konsideruar si një hap i rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike dhe sociale të vendit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjes Shqipëri”, studiuesja dhe etnologia Dr. Amarta Hysa e cilësoi këtë zhvillim si një moment kënaqësie dhe krenarie të panegociueshme.
“Ishte një moment kënaqësie dhe krenarie e panegociueshme. Është një arritje e madhe, është një arritje krenarie,” u shpreh ajo.
Hysa theksoi se këndimi me lahutë është mënyra përmes së cilës Eposi i Kreshnikëve, këngët heroike, lirikat dhe epika historike janë përcjellë ndër vite, sidomos në zonat e Malësisë së Veriut.
“Lahuta është një trashëgimi e kujtesës historike dhe sociale. Ndaj nga ana historike ka një rëndësi të jashtëzakonshme qoftë për shoqërinë, qoftë për kulturën. Sepse nuk ka kulturë pa kujtesë, nuk ka shoqëri pa kujtesë shoqërore, historike dhe pa kujtesë kulturore,” tha ajo, duke nënvizuar se lahuta ka shërbyer si një formë komunikimi brez pas brezi.
Duke folur për procesin e pranimit nga UNESCO, Dr. Hysa kujtoi se trashëgimia kulturore jomateriale, e sanksionuar me Konventën e vitit 2003, është e hapur për çdo traditë që ka rëndësi për komunitetet dhe shtetet përkatëse.
“Atëherë plotësohen kriteret dhe e pranon UNESCO, dhe nuk ka hezitim,” shtoi ajo.
Si pjesë e grupit të punës që përgatiti dosjen e aplikimit, Hysa tregoi se tradita e lahutës ishte në rrezik zhdukjeje.
“Lahuta është në zgrip, është në momentet e fundit të ekzistencës. Kjo ndërhyrja për të përgatitur dosjen e aplikimit për ta regjistruar si trashëgimi e UNESCO-s, së bashku me kërkesën e ndihmës ndërkombëtare po nga ky institucion, për të krijuar një program 4-vjeçar të shpëtimit dhe të ruajtjes së traditës, erdhi në ato momente që nëse do të kishim ndërhyrë pak më vonë, kam frikë që nuk do bëhej dot më gjë,” tha ajo.
Etnologia shtoi se emigracioni ka ndikuar ndjeshëm në zhdukjen e kësaj tradite, duke krijuar një boshllëk ndërmjet brezave që duhet mbushur për të mos humbur lahutën si pjesë e identitetit kulturor.
“Duhet mbushur ky boshllëk ndërmjet brezave që mos të humbasë kjo traditë,” theksoi ajo.
Dr. Hysa vuri në dukje edhe rëndësinë e diplomacisë kulturore përmes UNESCO-s.
“Shumë e rëndësishme është dhe diplomacia kulturore përmes UNESCO-s. Jo më larg se 2020, ku nuk kishte vend të botës pa regjistruar 3 apo 4 elementë të regjistruar në UNESCO, ndërsa Shqipëria kishte vetëm një. Kjo tregon diçka, por në një kohë kur vjen viti 2025 Shqipëria tashmë ka 5 ose 6 elementë,” tha ajo.
Në përfundim ajo tha se, “Ky zhvillim e vendos lahutën në një nivel të ri ndërkombëtar, duke e shpëtuar nga rreziku i zhdukjes dhe duke e bërë pjesë të trashëgimisë botërore, ashtu si polifonia dhe xhubleta më herët. Kjo është jo vetëm një arritje kulturore, por edhe një dëshmi e fuqisë së kujtesës historike dhe e rëndësisë së ruajtjes së traditave që formësojnë identitetin kombëtar.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




