Lamallari reagon pas largimit nga Ministria e Brendshme: Libri i jetës që të udhëzon në çdo stacion

Besfort Lamallari do të jetë tashmë pjesë e ekipit në Kryeministri duke u angazhuar edhe me dy protalet e reja qeveritare, “Besa” dhe “Pasqyra”. Me një postim në rrjetin social Facebook, Lamallari e cilësoi detyrën që ka mbajtur si Ministër i Punëve të Brendshme, so “librin e jetës’ që e udhëzoi drejt stacionit vijues.
Ministri në largim nga Punët e Brendshme, Besfort Lamallari ka reaguar pas vendimit të bërë publik nga Kryeministri Edi Rama se tashmë do jetë pjesë e ekipit të Kryeministrisë duke u angazhuar edhe me dy protalet e reja qeveritare, “Besa” dhe “Pasqyra”.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Lamallari e konsideroi një rrugëtim të paharrueshëm detyrën si Ministër të Punëve të Brendshme, institucionin ku siç shprehet ai, e rriti profesionalisht dhe politikisht. Lamallari shprehu më tej mirënjohjen ndaj Kryeministrit Edi Rama për nderin e lartë dhe besimin për angazhimin e ri si pjesë e ekipit të Kryeministrisë.
“Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh vendit tënd, duke u përpjekur çdo ditë të japësh më të mirën tënde në përgjegjësitë që të besohen. Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe në veçanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri është më shumë se sa një privilegj. Është ‘libri i jetës’ i cili të udhëzon drejt më tej në çdo stacion vijues.
Për këtë mundësi të jashtëzakonshme, mirënjohje gjithmonë Kryeministrit Edi Rama, të cilit tashmë do të kem kënaqësinë e veçantë t’ia kthej nderin e lartë dhe besimin tek unë edhe përmes anagazhimit të ri si pjesë e ekipit të Tij. Ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm me ekipin më të mirë në krah dhe i bekuar nga mbështetja deri në sakrificë e familjes time. Urime dhe mbarësi kolegut Ervin Demo. Jam i bindur që do të çojë përpara me sukses prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”, shkruan Lamallari.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




