Lamallari: “Smart City” nis me shkollat e Tiranës, gati për vitin e ri shkollor. AI në shërbim të sigurisë së nxënësve

Aktualitet | 6 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, prezantoi detaje nga projekti “Smart City” si një nga investimet më të rëndësishme në fushën e sigurisë publike dhe mbrojtjes së të rinjve, duke theksuar se zbatimi i tij do të nisë fillimisht në 20 shkolla të Tiranës si projekt pilot, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.

Gjatë konferencës për mediat, ministri Lamallari deklaroi se “siguria në shkolla mbetet një prioritet kombëtar, sidomos pas incidenteve të rënda të regjistruara në të kaluarën, ndërsa Policia e Shtetit ka hartuar dhe po zbaton një plan të posaçëm masash parandaluese”. Sipas tij, masat përfshijnë analizën e riskut operacional në shkollat me fluks të lartë apo me problematika të raportuara nga prindërit dhe komuniteti i mësuesve, si dhe forcimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit në kuadër të Programit “Siguria e të Rinjve”.

“Policia e Shtetit është në alert dhe po kryen kontrolle të posaçme në mjediset shkollore për të parandaluar raste që lidhen me përdorimin e substancave narkotike, shitjen e alkoolit te të miturit apo fenomene të tjera që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e nxënësve”, deklaroi ministri.

Lamallari theksoi se siguria në shkolla nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve shtetërore, por kërkon bashkëpunimin e prindërve, mësuesve, nxënësve dhe gjithë komunitetit për të raportuar në kohë çdo rast të dyshimtë apo sjellje të rrezikshme.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e oficerëve të sigurisë në shkolla, duke bërë me dije se aktualisht janë 330 efektivë të dislokuar në institucionet arsimore, të cilët bashkëpunojnë çdo ditë me Policinë e Shtetit. Sipas Lamallarit, synimi është rritja e numrit, trajnimit dhe kapaciteteve të tyre parandaluese.

Në fokus të konferencës ishte edhe projekti “Smart City”, i cili, sipas ministrit, do të transformojë qasjen ndaj sigurisë publike përmes përdorimit të teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale.

Projekti parashikon integrimin e sistemeve të mbikëqyrjes elektronike në shkolla, rrugë, sheshe dhe zona me frekuencë të lartë qytetarësh, ku përmes softuerëve të bazuar në “AI” do të mundësohet identifikimi në kohë reale i sjelljeve të rrezikshme apo situatave potencialisht problematike.

Sipas Lamallarit, sistemi do të jetë i aftë të sinjalizojë menjëherë Policinë e Shtetit në raste kur evidentohen persona që mbajnë mjete prerëse, sjellje agresive apo drejtim i rrezikshëm i automjeteve, duke mundësuar ndërhyrje të shpejtë parandaluese.

“Brenda vitit të ardhshëm arsimor do të kemi zbatimin e projektit në 20-21 shkolla të Tiranës dhe jam i bindur se rezultatet do të jenë shumë të dobishme për nxënësit, prindërit dhe komunitetin, për të vijuar më pas me shtrirjen e tij në nivel kombëtar”, u shpreh ministri Lamallari.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme