Lapaj letër KQZ: Dorëheqja e listës së mbyllur është e pakthyeshme, mandati i takon listës së hapur

Koalicioni “Shqipëria Bëhet”, i drejtuar nga Adriatik Lapaj, i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me një kërkesë zyrtare për të shpallur të pavlefshme revokimet e dorëheqjeve të kandidatëve nga lista e mbyllur në Qarkun Tiranë. Kjo kërkesë vjen në një kohë tensionesh dhe përplasjesh për mandatin e fituar në zgjedhjet e 11 majit.
Në letrën drejtuar KQZ-së, Lapaj argumenton se dorëheqja e dhënë nga këta kandidatë më 11 maj, para fillimit të procesit të votimit, është një “dorëheqje nga kandidimi” dhe jo një dorëheqje nga mandati, pasi ky i fundit ende nuk ekzistonte. Sipas tij, një akt i tillë është përfundimtar dhe i pakthyeshëm.
“Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat,” theksohet në dokumentin e paraqitur në KQZ.
Për këtë arsye, Lapaj kërkon që mandati i fituar t’i kalojë kandidatit pasues në listë, por duke respektuar rregullat për zëvendësimin e mandateve, mandati duhet të kalojë te një kandidat nga lista e hapur e koalicionit.
Përplasja e brendshme për këtë mandat po vazhdon, ndërsa situata mbetet e paqartë. Nëse nuk do të ketë një “pajtim”, mandatin mund ta marrë Ana Dajko, 60 vjeçe, e cila ishte renditur në listën e mbyllur përpara kandidatit Zeqir Kordhoni, i cili ka shprehur gatishmërinë për t’u bërë deputete.
Tashmë i takon KQZ-së të marrë një vendim, i cili do të përcaktojë fatin e këtij mandati të kontestuar.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




