Liqeni i Shkodrës me biodiversitet të përmirësuar, sfidë mbetet peshkimi i paligjshëm dhe ndotja mjedisore

Aktualitet | 9 muaj më parë

Nominimi i Liqenit të Shkodrës për t’u shpallur Rezervë e Biosferës pranë programit “Njeriu dhe Natyra” të UNESCO-s, sipas drejtuesve të institucioneve dhe ekspertëve të mjedisit, dëshmon jo vetëm potencialin natyror dhe kulturor të liqenit, por edhe vëmendjen në rritje ndaj ruajtjes së biodiversitetit.

Sipas Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, vitet e fundit është shënuar një përmirësim i dukshëm i gjendjes së ekosistemit.

“Problematikat, siç është shpyllëzimi, nuk janë më si vitet e fundit. Një tjetër fenomen pozitiv është që janë shtuar edhe shpendët ujorë, sidomos prania e pelikanit kaçurrel”, tha Agim Dardha, Drejtor i AdZM Shkodër.

Ekspertët e mjedisit theksojnë se ekosistemi i liqenit është në ndryshim të vazhdueshëm, i ndikuar si nga kushtet klimatike, ashtu edhe nga ndërhyrjet njerëzore.

“Ka tendenca të mira për të ndërhyrë në restaurimin e këtyre habitateve”, tha Aurora Dibra, biologe dhe pedagoge në UNISHK.

Krahas peshkimit të paligjshëm, ndotja mbetet një nga problematikat kryesore, zgjidhja e së cilës konsiderohet sfidë për institucionet vendore dhe qendrore.

“Ndër problematikat kryesore që po merren bashkitë është ndotja me ujëra të zeza. Po hartohen programe për krijimin e impianteve dhe filtrimin e tyre, që të mos derdhen në liqen dhe në lumin Buna”, tha Dardha.

Liqeni i Shkodrës është një nga destinacionet turistike gjithëvjetore më të frekuentuara në veri të vendit. Por, sipas ekspertëve, për të ruajtur ekosistemin e brishtë, është domosdoshmëri menaxhimi i qëndrueshëm i turizmit dhe respektimi i standardeve mjedisore.

Gazetar: A.Hoti 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme