Lirimi i hapësirave publike në Vlorë, Dredha: Kontrolle në të gjithë territorin. Dorëheqjet e drejtorëve? Duhet të gjejmë njerëz më të motivuar

Një ditë pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike nga zaptimet abuzive, në qytetin bregdetar të Vlorës ka nisur aksioni për lirimin e tyre. Kreu i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se është ngritur një Task-Forcë që do të kryej kontrolle në të gjithë territorin e kësaj bashkie dhe se çdo hapësirë e zaptuar do t’i kthehet qytetarëve.
“Duhet t’i japim vlerë hapësirës publike. Edhe aty ku ka ndonjë cedim sa i përket kontratave që mund të jenë dhënë në rrugë të ndryshme, do shohim mundësitë si mund t’i lirojmë. Kundërshti edhe mund të ketë, por ne do të zbatojmë ligjin. Tani e shohim të rëndësishme të ndërhyjmë, s’ka lidhje me asnjë deklaratë. Do inspektojmë, kemi ngritur një Task-Forcë dhe po kryejmë kontrolle në të gjithë territorin. Aty ku ka zaptim do të hiqen dhe hapësira do t’i kthehet qytetarëve”, tha ai.
I pyetur lidhur me dorëheqjet e drejtorëve të bashkisë, Dredha tha se nevojiten njerëz më të motivuar dhe më të përgjegjshëm. Ai theksoi se puna e gjithsecilit do të kalojë nën një monitorim të imtësishëm dhe se më pas do të merret një vendim.
“Unë e kam kërkuar dhe më parë, edhe në janar edh enë mars, e kam bërë edhe për të motivuar të gjithë drejtorët që ta përkthejnë në punë. Nuk ka patur hezitim nga kryetari i Bashkisë për të hequr ose jo një drejtor nga puna, por duhet të gjejmë njerëz më të motivuar dhe më të përgjegjshëm që ta bëjnë atë punë me pasion. Të gjithë drejtorët kanë reaguar pozitivisht, ne do të bëjmë një skanim të plotë duke marrë parasysh edhe performancën e tyre për sektorët që mbulojnë dhe më pas do të marrim një vendim final”, u shpreh kryebashkiaku.
Në një mbledhje me dyer të mbyllura të zhvilluar në Bashkinë e Vlorës, Kryeministri Edi Rama shfaqi rezerva për menaxhimin e qytetit të Vlorës nga Bashkia, ndërsa kërkoi ristrukturim total të këtij institucioni, duke përfshirë të gjitha drejtoritë. Ai kërkoi dorëheqjet e drejtorëve të drejtorive me varësi nga qendra, kërkesë që më pas u pasua me dorëheqjen e 21 drejtorëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




