Lufta me Ukrainën, Brukseli paketë të re sanksionesh ndaj Moskës

Europë | 4 muaj më parë

Brukseli ka miratuar një raund të ri masash sanksionesh që kanë si qëllim të godasin pesë kompani të përfshira në zhvillimin dhe prodhimin e komponentëve kritikë për dronët ushtarakë pa pilot.

Sipas Brukselit, ky veprim reflekton strategjinë e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të dobësuar kompleksin ushtarako-industrial rus, në kulmin e bombardimeve ajrore dhe sulmeve me dronë ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase

Në deklaratën zyrtare të Këshillit të Bashkimit Evropian, bëhet e ditur se paketa e fundit e sanksioneve synon specifikisht Irina Kharisova, Kryetaren e Bordit të grupit të kompanive ABS Electro, së bashku me pesë entitete korporative që operojnë nën të njëjtin konglomerat.

Këto kompani janë specializuar në projektimin dhe prodhimin e pjesëve të avancuara elektronike dhe radio-elektronike që përmirësojnë aftësitë operative të dronëve të tipit Shahed dhe Geran.

Komponentët janë projektuar për të rritur rezistencën e dronëve ndaj luftës elektronike dhe sistemeve të bllokimit.

Përveç kësaj, disa nga firmat e sanksionuara prodhojnë sisteme automatike kontrolli për sektorin energjetik rus, i cili mbetet një burim i rëndësishëm të ardhurash për Kremlinin.

Nën masat e reja, të gjitha asetet financiare dhe burimet ekonomike të Irina Kharisovës dhe kompanive të listuara brenda juridiksionit të BE-së janë ngrirë menjëherë, ndërsa janë ndaluar rreptësisht çdo financim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë për ta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme