Luiza Gega në finalen e 3000m, flet trajneri Stërmasi

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Luiza Gega është atletja e vetme që përfaqëson Shqipërinë në botërorin Oregon 2022. Ajo konkurron në 3000 metra me pengesa. Gega ka bërë një garë të shkëlqyer në baterinë e saj, duke u renditur e treta me kohën 9’14”91. Ky rezultat e ka kualifikuar atë drejtpërdrejt në finale ku do të konkurrojë me 15 më të mirat e botës. Trajneri i Luizës, Taulant Stërmasi tregon për RTSH, ecurinë e garës së parë të atletes së saj.

“Gara shkoi sipas parashikimeve, duke arritur rezultatin apo dhe kualifikimin në finale. Kishte gjëra për të përmirësuar, besoj se do i korigjojmë në finale. Patëm dy gabime taktike, qoftë dhe një gabim teknik që ndodhi në xhiron e parë. Por sigurisht që janë ca gabime të vogla që në finale do e kemi shumë më të lehtë. Kemi pritshmëri të larta, pasi Luiza ka kohë që po performon në nivele të larta. Është një garë ku marrin pjesë më të mirat e botës, kështu që mundësia për të përmirësuar rezultatin është e madhe“.

Pas garës, Luiza ka ndjerë një shqetësim të vogël në pulpë. Por pas ekzaminimeve mjekësore duke se gjithçka ka kaluar dhe gjendja e saj fizike është mjaft e mirë. Pas testit të kryer atletja shqiptare është vlerësuar se ka dhënë vetëm 80% të saj. Ndaj në finale ajo pritet të japë maksimumin e saj.

“Gjendja pas garës është e mirë. Në fakt kishte një kontraktim në pulpë, të cilin u munduam ta trajtojmë që në momentin e parë. Pasi përfundoi garën, kemi bërë menjëherë kontrollet. Tani nuk ka asnjë shqetësim. Nuk do të ketë asnjë problem për garën. Gjithashtu kemi bërë edhe testin, që ka treguar se ka qënë në nivelin 80% gjatë garës, ka mundësi për më shumë“.

Si gjithnjë, edhe këtë radhë, të papriturat kanë shoqëruar udhëtimin e trajnerit Stërmasi dhe atletes së tij Luiza Gega.

“Ne akoma nuk na kanë arritur valixhet, jemi me shumë pak bazë materiale. Kishim marrë në çanta të vogla gjërat e domosdoshme, këpucët dhe uniformën e garës. Na mungojnë gjërat e tjera të bazës materiale, që unë i mbajë gjithmonë me vete“.

Finalja është një garë e vështirë, pasi do të konkurrojnë 15 atletet më të mira të botës. Por synimi i Luizës është të thyejë rekordin kombëtar. Për trajnerin e saj, Taulant Stërmasi, duke u bazuar edhe në stërvitjen që ka kryer Luiza, ky synim është i arritshëm.

“Finalja është shumë e vështirë për të gjithë, nuk ka asnjë sportist që mund të cilësohet favorit aty. Nuk mund të themi se në çfarë vendi mund të arrijmë, por besojmë se do të kemi rezultat të mirë. E rëndësishme është që po hidhen hapa përpara, Luiza po vrapon më mirë. Objektivi i madh në fakt është Paris 2024“.

Finalja e garës së 3000 metrave me pengesa, ku do të konkurrojë edhe atletja shqiptare Luiza Gega, zhvillohet në datën 21 korrik, në orën 04.45 të mëngjesit. Koha më e mirë e saj në këtë garë që është edhe rekordi kombëta është 9‘14“29.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme