Lulet, simboli i çeljes së sezonit turistik në Gjirokastër

Kulturë | 5 vite më parë

Gjirokastra çel sezonin turistik të verës me aktivitetin “I dua lulet në dritare”. Panairi i  luleve që i favorizon  klima jonë, një ekspozitë  figurative me temë lulet dhe një koncert artistik ishin pjesë e programit të organizuar nga Bashkia dhe Ministria e Kulturës. Ky aktivitet është vetëm fillimi i një nisme që synon mbushjen me lule të gjithë kateve të dyta të bizneseve e institucioneve në pazarin karakteristik për t’u shtrirë edhe në sokakët e Gjirokastrës, ndërsa kalendari kulturor do të jetë mjaft i ngjeshur përgjatë gjithë verës.

“Është një qytet që karakterizohet nga guri e druri, por duhet dhe lulja. Në jug qyeti i luleve simbolizohet Përmeti, por Përmeti i ka lulet në tokë ne i kemi në dritare. Duke marrë shkas nga ky aktivitet do fillojmë një nismë, ne si bashki dhe TID Gjirokastra, gjithë dritaret e kateve të dyta të pazarit të mbushen me lule, duke e filluar nga zemra e qytetit, këtu në Pazar për ta vazhduar më tej.” – tha Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi

““I dua lulet në dritare” është një këngë që tekstin e ka krijuar një gjirokastrit, Arben Duka dhe është kënduar për herë të parë po nga një gjirokastrit Gëzim Çela dhe kompozitor është Valentin Veizi i cili një pjesë të jetës së tij ka punuar në Gjirokastër. Lulet janë një traditë e moçme gjirokastrite. Qytetarët e vjetër të Gjirokastrës e dinë shumë mirë sesi luleboret, trëndafilat, mëllagat nëpër avllitë gjirokastrite ishin gjëja më e bukur e këtij qyteti. Lulet do t’i vendosim tashmë edhe në pazarin tonë të bukur për të mikpritur gjithë vizitorët që gjatë gjithë vitit do të jenë këtu. Kur themi “Ejani në Gjirokastër” kemi parasysh që Gjirokastra e ka turizmin gjithëvjetor dhe të vish këtu nuk është thjesht një ardhje për të kaluar një fundjavë, por është  një përfitim maksimal sepse të gjithë ata që e vizitojnë marrin me vete një copëz të madhe të kulturës gjirokastrite, një copëz të madhe të historisë së saj, pse jo dhe një copëz të madhe të qytetërimit gjirokastrit i cili është një ishull drite në gjithë Shqipërinë.” – tha Odise Kote, Prefekt i Qarkut.

Ekspozita e arteve figurative solli 50 punime në pikturë, të cilat në qendër të tyre kishin lulet, realizuar nga 1 artist profesionist e 3 amatorë.

Ndërsa koncerti, bashkëpunim i QKF “Fato Berberi” e QK “Cakalof”, përcolli një larmi numrash artistikë që  krijuan atmosferë feste në pazarin karakteristik.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme