Lushnjë, Rama: duhet të garantojmë një shumicë qeverisëse të qëndrueshme, për vazhdimin e reformave

Politikë | 3 vite më parë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ishte të mërkurën në Lushnjë për procesin e rienergjizimit të PS me organizatat socialiste, duke vijuar fushatën e anëtarësimeve të reja.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se, ky është një proces i shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë, në të gjithë organizmin e Partisë Socialiste dhe është një proces që lidhet me domosdoshmërinë që Partia Socialiste të hapet, të ripërtërihet dhe të shtrihet përtej kufijve të vjetër partiak në territor.

Rama, në fjalën e tij, theksoi se është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të vetëdijshëm se progresi që është bërë me ekonominë, drejtësinë, me pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë, ka hapur një portë të re për Shqipërinë dhe se kjo portë e re nuk duhet të mbyllet.

“Cikli ynë i qeverisjes është një cikël i pambyllur, që do të thotë që të gjithë kantieret e reformave janë kantiere të pambyllura, që do të thotë që për të garantuar mbylljen e tyre me sukses, ne duhet të bëjmë çmos që të arrijmë objektivat strategjik të vizionit të Shqipërisë 2030”, tha Rama.

Kryetari i PS-së theksoi në fjalën e tij se ka besuar qysh kur ka filluar të njohë nga brenda PS-në dhe të shkel të gjithë territorin, të shoh hap pas hapi dhe rezultatet, se nuk ka asnjë qendër votimi në Shqipëri që Partia Socialist nuk fiton dot.

“Ama, është pak, por e sigurt, që ne kemi një potencial shumë më të madh se sa rezultatet, qoftë në aspektin e fushave të zhvillimit të vendit, kemi një potencial shumë më të madh se rezultatet në ekonomi, pavarësisht se sot pa diskutim ekonomia është më mirë se sa ka qenë ndonjëherë, por ama nuk është aq mirë sa, ne duhet ta bëjmë që të jetë. Pa folur për drejtësinë që nuk diskutohet, ka hyrë në një fazë të re, por është një fazë e re embrionale që duhet garantuar”, tha Rama.

Sipas tij, vendi ka hyrë në procesin e negocimit me Bashkimin Evropian, për t’u anëtarësuar në BE.

“Por ato që quhen negociata me Bashkimin Evropian, në fakt nuk janë negociata në të vërtetë. Në të vërtetë ato janë çfarë Bashkimi Evropian kërkon, e çfarë ne duhet të bëjmë. Na duhet të garantojmë një shumicë qeverisëse të qëndrueshme, të aftë për të marrë vendime në vazhdim dhe një mbështetje për vazhdimin e reformave”, përfundoi Rama.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme