Macron: Kufizimi i ndihmës për Ukrainën hap rrugën drejt një lufte tjetër

Europë | 8 minuta më parë

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të shtunën se vendet që kërkojnë të kufizojnë ndihmën për Ukrainën rrezikojnë ta detyrojnë Kievin drejt një “paqeje të padrejtë”, e cila sipas tij do të shërbente si recetë për një luftë tjetër në Evropë.

Deklarata e liderit francez, e publikuar në rrjetet sociale, vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara po ndërmjetësojnë bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit të nisur me pushtimin në shkallë të plotë nga Moska në vitin 2022.

“Ata që duan të racionojnë ndihmën për Ukrainën, në thelb dëshirojnë t’i imponojnë asaj — dhe rrjedhimisht gjithë Evropës — një paqe të padrejtë. Kjo është frymë disfate. Kjo është një recetë për një luftë tjetër. Ky nuk mund të jetë qëndrimi i Francës”, u shpreh Macron.

Reagimi i tij pason komentet e bëra publike të shtunën nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili bëri të ditur se Uashingtoni i ka sugjeruar Kievit të lëshojë territore në favor të Moskës në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Këto zhvillime vijnë pasi të dërguarit amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, zhvilluan të enjten takime të ndara me presidentin rus Vladimir Putin dhe me Zelenskyn, pas dy ditësh bisedimesh në Abu Dhabi që u mbyllën pa një marrëveshje konkrete.

Megjithatë, negociatat prodhuan dakordësinë që vendet evropiane të përfshihen në raundet e ardhshme të bisedimeve për përfundimin e luftës. Të premten në Dublin, Evropa përzgjodhi pesë vende — Francën, Gjermaninë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Poloninë — për të dërguar përfaqësuesit e tyre në tryezën e negociatave.

Macron theksoi se Evropa duhet të jetë plotësisht pjesëmarrëse në përpjekjet për arritjen e një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. “Ajo që ndodh në Ukrainë na prek drejtpërdrejt… Të ndihmosh Ukrainën të mbrohet do të thotë të mbrosh Francën dhe francezët”, shtoi ai.

Sipas kreut të Elysee-së, aleatët e Ukrainës duhet të përcaktojnë qartë, përfshirë edhe përballë Rusisë, vizionin e tyre për periudhën e pasluftës, si dhe të saktësojnë pritshmëritë ndaj Shteteve të Bashkuara sa i përket sigurisë afatgjatë të Evropës.

Ai vlerësoi se Vladimir Putin nuk ka vullnet real për të negociuar, por po përpiqet ta gjunjëzojë Ukrainën duke intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike në prag të dimrit.

Për këtë arsye, Macron bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes financiare dhe ndihmës për mbrojtjen e popullsisë, termocentraleve dhe rrjeteve energjetike të Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme