Magjia e Achille Lauros në Sanremo 2026, Ariston në këmbë për artistin, spektakli ekskluzivisht në RTSH 2

Nata e dytë e Festivalit të Sanremos ka dhuruar emocione të forta që në minutat e para, me Achille Lauron që ka ngritur peshë publikun e Teatrit Ariston. I rikthyer këtë herë në rolin e rëndësishëm të bashkëprezantuesit, artisti italian u prit me një duartrokitje të gjatë në këmbë nga të pranishmit në sallë.
Ky edicion i festivalit, i cili mban të mbërthyer pas ekranit miliona shikues, po transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht për publikun shqiptar në kanalin RTSH 2.
Një “look” që lë gjurmë
I njohur për stilin e tij ekscentrik dhe transformimet e guximshme skenike, Lauro nuk zhgënjeu as këtë radhë. Ai u shfaq në skenën e Aristonit i veshur tërësisht me të bardha, një zgjedhje elegante por e jashtëzakonshme. Pamja e tij u kompletua nga një fjongo e madhe që i lidhte jelekun dhe një gjerdan tërheqës e masiv me varëse, duke rrëmbyer menjëherë vëmendjen dhe brohoritjet e sallës.
I prekur nga pritja e ngrohtë e publikut dhe rikthimi në skenën ku la gjurmë një vit më parë, Achille Lauro ndau një mesazh falënderimi dhe reflektimi për suksesin e tij të fundit.
Ai kujtoi impaktin e jashtëzakonshëm që pati kënga e tij e vitit 2025:
“Ka qenë një vit i mrekullueshëm: pas ‘Incoscienti Giovani’, ndodhi diçka magjike,” u shpreh artisti me emocion. Ai përmendi arritjet e tij të mëdha përgjatë muajve të fundit, duke shtuar: “Stadiumet, themelimi i fondacionit tim dhe sot edhe kjo mundësi: ndodhi vërtet, është e gjitha e vërtetë.”
Prania e tij si bashkëprezantues krah Carlo Contit është vlerësuar si një nga pikat më të forta të natës së dytë, duke i dhënë festivalit një energji të re dhe moderne.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




