Malaj: Garancia sovrane për bizneset e vogla rritet në 5 miliardë lekë, kredi deri në 2 milionë euro
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se qeveria ka zgjeruar skemën e garancisë sovrane për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në kuadër të nismës “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, duke rritur fondin në 5 miliardë lekë dhe duke lehtësuar kushtet e financimit për bizneset.
Sipas Malajt, instrumenti i garancisë sovrane u prezantua në gusht të vitit të kaluar për t’u dhënë akses në financim sektorëve që deri atëherë kishin qenë të nënfinancuar ose të papërfshirë në sistemin bankar.
“Në momentin e prezantimit të garancisë sovrane u testua sektori i bujqësisë, një sektor me potencial të madh për ekonominë shqiptare, që punëson rreth 40% të fuqisë punëtore. Brenda vetëm gjashtë muajve u ezaurua një e treta e fondit prej 3 miliardë lekësh nga kërkesat e fermerëve dhe u mundësua financimi i tyre në të gjithë territorin e vendit,” tha ministri.
Duke u mbështetur në këtë rezultat, qeveria vendosi ta zgjerojë skemën edhe për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Në fund të muajit qershor rishikuam parametrat e garancisë sovrane. Rritëm fondin nga 3 miliardë në 5 miliardë lekë, zgjatëm afatin e shlyerjes së kredive deri në 10 vjet, ndërsa normat e interesit do të mbahen në nivelin 2-3% dhe mbulimi i garancisë do të jetë mbi 70%,” u shpreh Malaj.
Ai bëri të ditur se është rritur ndjeshëm edhe shuma maksimale që mund të përfitojë çdo biznes.
“Një nga elementet më të rëndësishme është zgjerimi i shumës për çdo aplikant, nga 250 mijë euro në 2 milionë euro, ose 200 milionë lekë,” tha ministri.
Malaj theksoi se kjo kategori biznesesh përbën shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare.
“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99% të ndërmarrjeve aktive në Shqipëri, punësojnë mbi 82% të fuqisë punëtore dhe mbulojnë 75% të investimeve në sektorin privat. Prandaj ndërmorëm këto masa duke rishikuar të gjithë parametrat e garancisë sovrane,” deklaroi ai.
Ministri nënvizoi se objektivi është rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregun evropian.
“Qeveria mbetet e angazhuar për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sepse duhet t’i përgatisim ato që të jenë konkurruese në raport me tregun evropian. Duhet të rrisim investimet në teknologji, në zhvillimin e kapaciteteve të fuqisë njerëzore, me synimin për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë,” tha Malaj.
Duke folur për masat e planifikuara për vitin 2026, ai bëri të ditur se qeveria do të vërë në dispozicion instrumente të reja financiare.
“Për vitin 2026 qeveria ka parashikuar një linjë kredie prej 250 milionë eurosh, të vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë dhe që do të shpërndahet përmes sistemit bankar. Kemi gjithashtu një garanci sovrane prej 50 milionë eurosh, e cila do të rritet në varësi të ecurisë dhe shkallës së përdorimit të saj,” u shpreh ministri.
Ai shtoi se gjatë këtij viti është parashikuar edhe një fond prej 800 mijë eurosh pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në hartimin e planeve të investimit që do t’u mundësojnë aplikimin për financim në bankat e nivelit të dytë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




