Malaj prezanton paketën mbështetëse: 10,4 miliardë lekë për rritjen e pensioneve në 2026

Ekonomi | 10 muaj më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se pensionet do të jenë kryefjala e politikave sociale edhe gjatë vitit 2026.

Në një njoftim të bërë publik në rrjetet sociale, Malaj bëri të ditur se duke nisur nga janari, përmes një fondi prej 10,4 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit, do të kompensohet rritja mujore e të ardhurave për pensionistët.

Sipas ministrit, rritja e pensioneve do të zbatohet sipas kategorive përkatëse. Pensionet urbane me vite të plota pune do të përfitojnë një rritje prej 1800 lekësh në muaj, ndërsa pensionet urbane të pjesshme do të rriten me 800 lekë në muaj.

Për pensionistët ruralë që kanë dalë në pension para datës 31 dhjetor 2024, rritja mujore do të jetë 1000 lekë. Ndërkohë, pensionet familjare do të rriten me 700 lekë në muaj, ndërsa pensionet e invaliditetit të punës do të përfitojnë një rritje prej 600 lekësh në muaj.

Malaj theksoi se kjo paketë mbështetëse synon përmirësimin e kushteve ekonomike të pensionistëve, rritjen e fuqisë blerëse dhe garantimin e një mbrojtjeje më të mirë sociale.

 “Ky është një angazhim i qeverisë për të mbështetur me prioritet pensionistët, duke reflektuar kujdesin për një nga shtresat më të ndjeshme të shoqërisë,” u shpreh ministri i Financave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme