Maldrita Bardho heq dorë nga mandati i deputetes në Fier, ia lë vendin Zegjine Çaushit

Politikë | 1 vit më parë

Pas rinumërimit të votave në qarkun Fier, kandidatja e Partisë Socialiste, Maldrita Bardho, ka njoftuar përmes një reagimi në rrjetet sociale se nuk do të jetë pjesë e Parlamentit shqiptar. Bardho ka vendosur t’ia lërë vendin koleges së saj, Zegjine Çaushi, socialistes që pak orë më parë i mori mandatin provizor.

Në postimin e saj, Bardho u shpreh e lumtur dhe e nderuar që kontributi i saj i gjatë në PS është vlerësuar nga bashkëqytetarët.

Bardho: Angazhim i vazhdueshëm dhe vlerësim për Çaushin

“Unë do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjën, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar,” shkruan Bardho.

Ajo thekson se me “shumë kënaqësi” do t’i lërë vendin “koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi”.

Bardho vlerëson lart kontributin e Çaushit në fushatë, duke thënë se ajo “ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën sesa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shënjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjetër, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj.”

Ajo shton se Zegjine Çaushi, e cila ndahet prej saj vetëm nga 10 vota, “padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat”.

Në mbyllje të reagimit, Maldrita Bardho falënderon thellësisht të gjithë ata që e votuan, duke premtuar se do të jetë aty “me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që vetëm ne socialistët kemi!”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme