Maliqi pret turistë, freskia dhe pastërtia që ofron zona tërheq vëmendjen e vizitorëve

Në këto ditë të nxehta vere, e gjithë zona e Maliqit shihet si një destinacion i preferuar turistik për shkak të freskisë, pastërtisë dhe mikpritjes që e karakterizon. Përveç natyrës së bukur, në Maliq ajo që bie në sy është edhe rregullsia dhe pastërtia që vetë banorët i japin këtij qyteti.
Rrugë të sistemuara, trotuare të pastër, lulishte të bukura dhe hapësirat e gjelbra, e bëjnë Maliqin mjaft të pëlqyer, sidomos në stinën e verës.
E gjithë zona e Maliqit mban në gjirin e saj destinacione turistike dhe sitë arkeologjike të veçanta që gjithnjë e më shumë po dalin në pah dhe po preferohen nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Në vitet e fundit, përveç pyllit të fazanëve, janë edhe zonat e thella si Lozhani apo Moglica të cilat po marrin një hov të madh sa i përket zhvillimit të turizmit. Vetëm 13 km larg qytetit të Korçës, Maliqi ka përafërsisht rreth 6 mijë banorë.
Ky qytet ka qenë kënetë deri në vitin 1946 kur u tha me forca vullnetare nga gjithë Shqipëria. Pas bonifikimit u popullua nga banorë të krahinave përreth si dhe nga shumë qytete të tjera të Shqipërisë.
Gazetar: Enea Prenjasi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




