Manastirliu në shkollën e re “Babë Dudë Karbunara” në Berat: Investime për përmirësimin e sistemit arsimor

Sociale | 2 vite më parë

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu sw bashku me kryeministrin Edi Rama inauguruan shkollën e rindërtuar “Babë Dudë Karbunara”në Berat.

Manastirliu theksoi se investimi në shkollën “Babë Dudë Karbunara” ka shtuar hapësirat mësimore, duke përfshirë 26 klasa të reja, laboratorë për lëndët shkencore, bibliotekë, dhe një palestër moderne për aktivitetet sportive.

Sipas saj, shkolla ofron gjithashtu mundësi për zhvillimin e programeve sportive dhe kulturore, duke u shndërruar në një qendër multifunksionale për komunitetin e Beratit.

 “Jemi në një prej shkollave simbol të Shqipërisë dhe shohim sesi një projekt është bërë realitet falë mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Rama, që asnjëherë nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë investimi në arsim, investimi për njerëzit, për nxënësit, dhe për mësuesit. Kjo shkollë është shëmbëlltyrë e vizionit tonë për modelin e shkollave që na duhen. Përtej Tiranës, ne sot shohim shkolla të forta, shkolla të bukura, shkolla që ofrojnë të gjithë infrastrukturën për nxënësit që ata të rriten dhe zhvillohen njësoj si në kryeqytet, si në qytet edhe në fshatrat më të thella, sepse investimet tona janë në të gjithë Shqipërinë. Sot, në ditën e parë të shkollës, hapin dyert 25 shkolla të reja. Janë më shumë se 40 kantieret në të cilat ne jemi duke punuar në të gjithë Shqipërinë dhe më shumë do të bëjmë për sistemin tonë arsimor, për shkollat tona, për shkollën ’20-‘30. Ai vizioni ynë që kemi për Shqipërinë Europiane në prioritetin e saj ka arsimin, ka edukimin”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Manastirliu shpjegoi se progranmi “Shkolla 2030” synon të krijojë shkolla të teknologjisë së lartë, me infrastrukturë të modernizuar dhe standarde evropiane, ndërsa shtoi se rëndësi të veçantë, përveç infrastrukturës, ka edhe mbështetja e mësuesve.

“Premtimi për rritjen e pagave të mësuesve është bërë realitet për 31 mijë mësues. Paga mesatare e mësuesve tanë sot është 950 euro. Ne do të vijojmë me rritjen e pagave, por ky ishte një kapërcim historik, sepse të investosh te mësuesit do të thotë të investosh te e ardhmja, te fuqizimi i kapitalit njerëzor, te dijet që ata përcjellin. Dhe sot, në nisjen e këtij viti të ri shkollor, mësuesit tanë janë më të motivuar, më të frymëzuar, edhe sepse jo vetëm rritja ka ndikuar, por sepse tashmë ne për mësuesit kemi dhe Programin Kombëtar të Zhvillimit të mësuesve që parashikon një mbështetje për kualifikimin dhe edukimin në vazhdim të tyre. Kemi filluar gjatë këtij viti me trajnimin e 4 mijë mësuesve të shkencave, të teknologjisë dhe informacionit, arsimit fillor, gjuhës shqipe dhe do të vijojmë gjatë këtyre viteve me trajnimin e 16 mijë mësuesve,” tha Manastirliu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme