Manja pret presidentin e Eurojust: Shqipëria, partnere serioze në drejtësinë ndërkombëtare

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, priti të martën në ministrinë e Drejtësisë presidentin e Eurojust, Michael Schmid. Në takim, sipas njoftimit për shtyp, u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Eurojust, ku vendi ynë vlerësohet si një partner i rëndësishëm në forcimin e drejtësisë ndërkombëtare.
“Gjatë diskutimeve, u vu theksi mbi bashkëpunimin e Shqipërisë me Eurojust, ku vendi është cilësuar si një partner serioz, efikas dhe aktiv në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike. Kjo vlerësim dëshmon për përkushtimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.”, thuhet në një postim të ministrit Manja në rrjetet sociale.
Një pikë kyçe e takimit ishte diskutimi mbi Skuadrat e Përbashkëta Hetimore (JITs). Këto skuadra u cilësuan si një model suksesi në bashkëpunimin mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe autoriteteve partnere në Evropë e Amerikën Latine. Bashkëpunimi ka dhënë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Ministri Manja theksoi se Shqipëria mbetet thellësisht e përkushtuar në rrugën e saj evropiane, duke punuar pa pushim për të ndërtuar një drejtësi më efikase dhe të besueshme si për qytetarët e saj, ashtu edhe për partnerët ndërkombëtarë. Ky takim shërben si një konfirmim i mëtejshëm i angazhimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të drejtësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.









