Marciniak: Kam vrapuar 14 km në finale

Gjyqtari i futbollit Szymon Marciniak është kthyer në Poloni, pas Botërorit të Futbollit, Katar 2022. Polaku drejtoi finalen e Kupës së Botës, pas së cilës mori vlerësime shumë të mira nga ekspertët botërorë. “Ne kemi arritur maksimumin, por sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë” – u tha gazetarëve Marciniak, në aeroportin e Varshavës. Gjyqtari polak drejtoi tre ndeshje në Botërorin e Katarit, përfshirë edhe finalen Argjentinë-Francë. Ai pranoi se drejtimi i finales ishte një sfidë fizike dhe mendore.
“Këtë ndeshje e menaxhova në mënyrën time – tha Marciniak. – Taktikisht, aty ku nuk duhej të jepje karton, nuk e dhashë. E atje ku mundej u mundova të jap minimumin. Të them të drejtën nuk e kam parë ende ndeshjen të regjistruar. Do të më duhen disa ditë të marr veten, sepse ndihem tmerrësisht i lodhur. Më shumë psikoligjikisht e më pak fizikisht. Ndeshja ishte e vështirë dhe unë kam vrapuar rreth 14 kilometra”.
“Më duhej të vrapoja gjithë kohës në mënyrë që ta menaxhoja sa më mirë ndeshjen. Sepse në një ndeshje si kjo , lojtarët duhet të të besojnë, është mirë kur ata kanë frikë prej teje dhe në të njëjtën kohë të dëgjojnë. Nuk është e lehtë kur ke kaq shumë yje në fushë”.
Gjyqtarët polakë morën urime dhe vlerësime shumë të mira pas ndeshjes. Kritikë rezultuan vetëm francezët, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk mund të pajtohen me humbjen në ndeshjen e fundit të Botërorit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



