Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi i Zbatimit, Rama: Të përfshihen në procesin e anëtarësimit të Serbisë e Kosovës në BE

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe Aneksi i saj Zbatues,  duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Pak ditë para takimit të Këshillit Evropian të 21 marsit, kreu i qeverisë shqiptare, me anë të një postimi në rrjetet sociale, vë theksin te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit nga Kosova e Serbia, si mjaft të rëndësishme për ruajtjen e paqes, stabilitetit e sigurisë.

“Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit Evropian të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”, shkruan Rama teksa thekson më tej se “Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në. Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës”.

Një vit më parë, Kosova e Serbia arritën pas 12 orësh negociata marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vende. Por marrëveshja nuk u nënshkrua zyrtarisht nga palët.

Sulmet në Banjskë, vrasja e efektivit Afrim Bunjaku dhe rregullorja e BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb prej 1 shkurtit, sollën një përkeqësim të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme