Marrëveshja me Italinë – Mbërrin në Shëngjin një tjetër anije me 27 emigrantë, vendosen në kampin e Gjadrit

Aktualitet | 1 vit më parë

Një grup tjetër emigrantësh të cilëve iu është refuzuar azili në Itali kanë mbërritur në Shqipëri. Anija “Spica” e Marinës Ushtarake Italiane u nis mëngjesin e së martës nga porti i Brindisit dhe zbarkoi në portin e Shëngjinit, duke transportuar 27 emigrantë në bord.

Pas mbërritjes në Shqipëri, emigrantët u transferuan drejt kampit të Gjadrit. Ky është kontingjenti i tretë i emigrantëve që mbërrijnë në territorin shqiptar si pjesë e dekretit të ri të qeverisë italiane, të cilët do të qëndrojnë në Gjadër deri sa të vendoset për deportimin ose jo në vendet e tyre të origjinës, me një afat maksimal që nuk kalon 18 muaj.

Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte projektuar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit e shpëtuar në det, për një periudhë deri në 28 ditë, por me dekretin e ri të qeverisë së drejtuar nga Giorgia Meloni, funksioni i kësaj qendre është zgjeruar. Tashmë, ajo do të shërbejë edhe si qendër ndalimi për emigrantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që pritet të deportohen.

Ndërkohë, në ditët në vijim pritet vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë lidhur me apelimin e paraqitur nga Gjykata e Romës. Kjo e fundit ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e arrestimeve të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe dhe të transferuar më pas në Shqipëri, veçanërisht për rastet që vijnë nga vende që Italia i cilëson si të sigurta, si Egjipti dhe Bangladeshi.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme