Marrëveshja në Ohër/ OKB përmend Prishtinën dhe Beogradin, Rama i kërkon sqarime: Pse nuk i keni quajtur Kosovë dhe Serbi?

Kryeministri Edi Rama ka reaguar i revoltuar në lidhje me deklaratën zyrtare të OKB-së për marrëveshjen e arritur në Ohër, për shkak se në dokument është përmendur Prishtina dhe Beogradi dhe jo Kosova dhe Serbia.
Në një postim në Twitter, teksa publikon dokumentin e OKB-së, Rama shkruan se emri zyrtar i marrëveshjes është “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, teksa kërkon të marrë përgjigje nëse mos përmendja e emrave të dy shteteve është “gabim serioz apo gabim”?
“‘Beogradi dhe Prishtina’?! Një gabim serioz apo një gabim? Emri zyrtar i saj është ‘Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’ dhe do të ishte e papranueshme nëse Sekretari i Përgjithshëm nuk do ta përdorte këtë emër të duhur qëllimisht. Ju lutemi jepni sqarime menjëherë”, shkruan Rama.
Pas një maratone të gjatë bisedimesh të dielën (19 mars) kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ranë dakord për mënyrën se si do të zbatohet marrëveshja e propozuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Muajin e shkuar ata kishin rënë dakord për një plan me 11 pika të BE-se për të normalizuar marrëdhëniet.
Plani i bashkimit europian iu bën thirrje dy vendeve të mbajnë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të njohin dokumentet zyrtare dhe simbolet kombëtare të njëri-tjetrit. Marrëveshja, e përpiluar nga Franca dhe Gjermania, dhe e mbështetur nga SHBA, nuk bën në mënyrë të drejtpërdrejtë thirrje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë por për kryeministrin e Kosovës, ky akt nënkupton një njohje de facto të Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




