Marrëveshje historike BE-Indi, zona tregtare me dy miliardë njerëz ul tarifat dhe forcon bashkëpunimin ekonomik

BE dhe India kanë finalizuar sot një marrëveshje historike të tregtisë së lirë pas gati 20 vitesh negociata. Marrëveshja krijon një zonë tregtare që përfshin rreth 2 miliardë njerëz dhe do të sjellë përfitime për të dyja palët. Tarifat doganore do të ulen ose eliminohen për shumicën e mallrave që tregtohen mes Bashkimit Evropian dhe Indisë, përfshirë automjete, tekstile, kimikate dhe produkte farmaceutike.
Tarifat për makinat evropiane do të bien gradualisht nga nivelet deri në 110 % në rreth 10 %, duke hapur tregun indian për prodhuesit evropianë. Po ashtu, India do të përfitojë nga ulje tarifash për shumicën e eksporteve të saj drejt BE-së, duke rritur konkurrencën e produkteve si tekstilet dhe mallrat e zeza.
Marrëveshja pritet të dyfishojë eksportet e BE-së drejt Indisë deri në vitin 2032 dhe të ulë tarifat me rreth 4 miliardë euro në vit. Udhëheqësit e të dy palëve thanë se kjo do të forcojë lidhjet ekonomike dhe do të sjellë punë dhe rritje tregtare. Disa sektorë të ndjeshëm, si produkte të caktuara bujqësore, mbeten jashtë liberalizimit për të mbrojtur industrinë vendase.
Marrëveshja synon gjithashtu të përmirësojë tregtinë e shërbimeve, investimet dhe bashkëpunimin në fusha strategjike. Ajo do të duhet të ratifikohet nga Parlamenti Evropian, qeveritë e vendeve anëtare dhe autoritetet indiane para se të hyjë në fuqi.
Liderët pritet të bëjnë sot një deklaratë të përbashkët në samitin në Neë Delhi për të zbuluar detajet për publikun. Ky hap historik vjen në një kohë kur bota kërkon alternativa dhe bashkëpunim ekonomik përballë sfidave tregtare.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




