Masa për Vitin e Ri, ARRSH në gatishmëri për ngricat, 130 borëpastruese dhe 800 punonjës në terren

Aktualitet | 10 muaj më parë

Në prag të natës së ndërrimit të viteve, kur fluksi i lëvizjeve është i lartë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka vënë në zbatim një plan të detajuar masash për të garantuar qarkullimin e sigurt, duke pasur parasysh parashikimet për temperatura të ulëta.

Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, njoftoi se institucioni ka marrë masa paraprake specifike për akset rrugore që rrezikojnë bllokimin nga dëbora apo ngricat.

Për të mbajtur rrugët e hapura, ARRSH ka mobilizuar një flotë të gjerë mjetesh dhe burimesh njerëzore që do të jenë në shërbim pa ndërprerje gjatë ditëve të festës.

Sipas Kozelit, në terren janë dislokuar:

130 borëpastruese;

577 mjete të tjera ndihmëse;

Rreth 800 punonjës në gatishmëri 24 orë.

Gjithashtu, për trajtimin e rrugëve janë siguruar rezerva të mjaftueshme materiale.

“Janë prokuruar 5300 tonë kripë dhe 1800 tonë granil për të siguruar që të gjitha akset të jenë të lira nga dëbora”, deklaroi kreu i ARRSH.

Thirrja për drejtuesit e mjeteve

Autoriteti Rrugor u bën thirrje të gjithë qytetarëve që do të udhëtojnë, veçanërisht drejt zonave malore, të tregojnë kujdes maksimal. Kozeli kërkoi që drejtuesit “të pajisen me goma dimërore dhe të kenë zinxhirë në makinat e tyre”.

Sipas tij, kjo masë është e domosdoshme jo vetëm për sigurinë e tyre, por edhe për të shmangur bllokimin e akseve rrugore dhe për të garantuar një qarkullim të vazhdueshëm për të gjithë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme